November 29, 2021

KPK: Gjyqtari Izet Dushaj simuloi transaksione për justifikimin e burimeve të pasurisë

Shpërndaje lajmin

Gjyqtari i Apelit Durrës, Izet Dushaj u gjet me balancë negative në krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve, pasi veprimet dhe pretendimet e tij lidhur me sigurimin e burimeve dhe kohën e pagesës së kësteve për shlyerjen e çmimit të një apartamenti në Tiranë, u vlerësuan të pavërteta dhe fiktive.

Gjyqtari Izet Dushaj (djathtas) dhe avokati i tij, Eridan Shehu pas seancës në KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shkarkoi nga detyra më 23 shtator 2021 gjyqtarin e Apelit të Durrësit, Izet Dushaj pasi rezultoi me balancë negative në shumën 9.6 milionë lekë për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve, si dhe u ngritën dyshime për veprime fiktive me qëllim justifikimin e burimit të blerjes së një apartamenti në Tiranë.

Izet Dushaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993, ku ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe kryetar gjykate në Tropojë. Në vitin 2006, Dushaj u promovua si gjyqtar Apeli në Shkodër dhe prej vitit 2010 deri në shkarkimin nga detyra e ushtroi funksionin në Gjykatën e Apelit të Durrësit.

Trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Pamela Qirko dhe Olsi Komicin anëtar, vendosi të përfundojë hetimi administrativ për gjyqtarin Izet Dushaj vetëm për kriterin e pasurisë.

Balanca më e madhe negative për gjyqtari Dushaj është gjetur në blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 158 m2 në Tiranë në vitin 2011, kundrejt çmimit 60 mijë euro. Komisioni ngre dyshime se subjekti ka kryer transaksione fiktive për të justifikuar burimet financiare që kanë shërbyer për këtë apartament.

Si burim krijimi të kësaj pasurie ai ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti banimi në Bajram Curri në shumën 30 mijë euro në nëntor të 2008-ës, pasuri të cilën e ka përfituar falas më parë si ish- i përndjekur politik; shumën 5000 paund të dhuruar nga vëllai i tij, E.D. të konfirmuar me një deklaratë noteriale të vitit 2015; si dhe kursimet ndër vite të deklaruara më parë.

Ndërkohë, Dushaj ka deklaruar se për blerjen e kësaj pasurie ka paguar shumën 50 mijë euro në vitin 2008, ndërsa 10 mijë euro në momentin e lidhjes së kontratës së hipotekimit në 2011-ën.

Komisioni ka gjetur se Dushaj e ka porositur apartamentin në Tiranë në vitin 2007, por nuk e ka deklaruar këtë fakt. Gjithashtu, janë identifikuar mospërputhje mes deklarimeve të tij në vitet 2008, 2011; përcaktimeve të bëra në kontratën e porosisë së vitit 2007; si dhe me kontratën e shitblerjes së vitit 2011, lidhur me sipërfaqen e apartamentit dhe momentit të pagesës së çmimit për blerjen e kësaj pasurie.

Edhe pse subjekti ka deklaruar për herë të parë në vitin 2008 porositjen e kësaj pasurie dhe pagesën e kryer në shumën prej 50 mijë euro, nuk ka rezultuar të ketë deklaruar detyrime të mbetura ndaj shitësit që lidhen me kontratën e porosisë së vitit 2007, në të cilën është përcaktuar çmimi prej 60 mijë eurosh për blerjen e apartamentit në fjalë.

Nisur nga përcaktimet e bëra në kontratën e porosisë së vitit 2007, fakti se subjekti nuk ka deklaruar në kohë reale porositjen e këtij apartamenti dhe interesat privatë të lidhura me të, si edhe për shkak të mospërputhjeve të konstatuara në deklarimet e bëra, Komisioni konsideron se pagesa prej 60 mijë euro për blerjen e kësaj pasurie është kryer në mars të 2007-ës, në momentin e nënshkrimit të kontratës së porosisë.

Subjekti ka kundërshtuar përfshirjen e kryerjes së pagesës në analizën financiare të vitit 2007 dhe ka kërkuar që pagesa e shumës prej 50 mijë eurosh të përfshihet në vitin 2008, ndërsa shlyerja e vlerës 10 mijë euro në 2011-ën. Dushaj ka referuar si prova të reja 2 mandatpagesa, një të vitit 2008 për shumën 50 mijë euro dhe 10 mijë euro në vitin 2011.

Nga verifikimi dhe analizimi i dy mandatpagesave të depozituara, Komisioni vëren se i dyti referon të dhëna se pagesa e këstit të dytë në shumën prej 10 mijë euro është kryer në datën 7 dhjetor 2011, ndërkohë që Dushaj në vazhdimësi ka deklaruar se pagesa e këtij kësti është kryer me nënshkrimin e kontratës së shitjes, më 3 janar 2011.

Trupi gjykues i vlerëson jo bindëse pretendimet e Dushajt se shkak i mosdeklarimit të pasurisë të pasurisë në 2007-ën ka qenë fakti i mospagimit të kësteve në atë vit. Kjo, pasi subjekti ka deklaruar gjatë hetimit administrativ se ka filluar të banojë në këtë apartament që në shtator të vitit 2007.

Komisioni konsideron se nuk ka logjikë ekonomike që pagesa e parë nga subjekti për këtë pasuri të jetë bërë rreth 18 muaj pas nënshkrimit të kontratës së porosisë.

“Për më tepër, trupi gjykues vëren se subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar në DIP/2007 detyrime financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë”, vëren KPK dhe i çmon deklarative dhe të pambështetura në prova pretendimet e subjektit se nuk ka kryer asnjë pagesë në vitin 2007.

KPK ka verifikuar edhe burimet financiare të deklaruara nga subjekti për krijimin e kësaj pasurie. Nga hetimi ka rezultuar se apartamenti në Tropojë është shitur në vitin 2008 dhe se vlera e pretenduar si e përfituar nga ai transaksion nuk mund të ketë shërbyer për pagesën e apartamentit në Tiranë.

“Për më tepër, nuk provohet pagesa e detyrimeve tatimore mbi të ardhurat e pretenduara, si të përfituara nga subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të, si rrjedhojë e shitjes së këtij apartameni në vitin 2008”, konstaton Komisioni lidhur me të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga shitja e banesës në Tropojë shtetasit A.G..

Gjithashtu, trupi gjykues ngre dyshime mbi fiktivitetin e kontratës së shitblerjes së vitit 2008 për apartamentin në Tropojë. Sipas KPK, çmimi i shitjes së këtij apartamenti në vitin 2008 në shumën 3.7 milionë lekë, nuk i përgjigjet çmimeve të tregut të kohës, ku sipas përllogaritjes bazuar në referencat e Entit Kombëtar të Banesave, EKB duhej të ishte rreth 1.8 milionë lekë.

Komisioni vëren se kjo pasuri i është shitur shtetasit I.K. në vitin 2011 në vlerën 2.2 milionë lekë, ndërkohë që A.G. është përfaqësuar në këtë transaksion nga vëllai i subjektit të rivlerësimit tij R.D., I pajisur me prokurorë të posaçme nga gjyqtari Dushaj. “Në këtë kuptim, bazuar në pretendimet e subjektit për shitjen e pasurisë në vitin 2008, rezulton se subjekti me dijeni të plotë ka autorizuar vëllain e tij për shitjen e saj në vitin 2011”, evidenton KPK.

Sipas KPK, subjekti ka dhënë shpjegime kontradiktore dhe ka mungesë të lidhjes logjike për transaksionet e kryera ndër vite lidhur me këtë pasuri. Në vendim thuhet se Dushaj pretendon se e ka lëshuar prokurën e posaçme pas kërkesës së bërë nga blerësi, A.G, i cili kërkonte të regjistronte pasurinë në emrin e tij.

Gjithashtu, subjekti ka deklaruar se vëllai i tij në këtë rast ka kryer veprime fiktive me qëllim shmangien e penalitetet për regjistrimin e kontratës së parë të shitjes, pasi në atë kohë A.G. kishte hyrë në bisedime me familjen K. për shitjen e këtij apartamenti.

Në përfundim, trupi gjykues i qëndron konkluzionit se pagesa për blerjen e pasurisë është bërë në vitin 2007 dhe se të ardhurat e pretenduara nga shitja e apartamentit në vitin 2008 nuk mund të kenë shërbyer si burim krijimi për blerjen e apartamentit.

Gjithashtu Komisioni i çmon jo bindëse shpjegimet e subjektit dhe ngre dyshime se transaksioni i vitit 2008 është veprim i simuluar, me qëllim në dukje justifikimin e burimit të të ardhurave për pagesën e deklaruar gjatë këtij viti për shlyerjen e çmimit të blerjes së apartamentit në Tiranë.

Po ashtu Komisioni konkludon se gjyqtari Dushaj nuk ka arritur të vërtetojë me dokumentacion justifikues ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vëllait për një dhurim në shumën 5000 paund të deklaruar në vitin 2007.

Megjithëse subjekti ka deklaruar krusime cash ndër vite, ka rezultuar se ai nuk ka pasqyruar  pakësimin e tyre dhe për rrjedhojë këto shuma nuk janë konsideruar si burime për blerjen e apartamentit në Tiranë në vitin 2007.

Bazuar në këto vlerësime, nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 7.1 milionë lekë.

Dushaj ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 672 mijë lekë edhe për blerjen e një automjeti tip “Mercedes Benz” në vitin 2016 për çmimin 600 mijë lekë. Ndërkohë, ai nuk ka deklaruar përdorimin për udhëtime jashtë shtetit të një automjeti tip “Volkswagen, 3C Passat” për periudhën 2010-2019.

Nga analiza financiare përfundimtare për periudhën 2003 – 2016 është konkluduar balancë negative totale në shumën 9.1 milionë lekë.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *