October 23, 2021

KPK me dy qëndrime për pasurinë dhe profesionalizmin e Arenc Çelës

Shpërndaje lajmin

Shumica e trupit gjykues të KPK-së u bind nga shpjegimet e prokurorit Arens Çela për pasurinë dhe dy kriteret e tjera të rivlerësimit, ndërsa komisionerja Xhensila Pine në pakicë konstaton pamundësi financiare për një apartament dhe probleme me profesionalizmin. 

Prokurori Arenc Çela në KPK | Foto : LSA

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, aktualisht shefi i Sektorit të Monitorimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Arens Çela u konfirmua në detyrë më 23 mars 2021 me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në vendimin e arsyetuar të Komisionit dhe në mendimin e pakicës debatohet lidhur me pasuritë në posedim dhe në përdorim të prokurorit Çela, si dhe për kriterin profesional.

Anëtarët në shumicë të trupit gjykues të KPK, kryesuesja Pamela Qirko dhe relatorja Firdes Shuli vlerësojnë se prokurori Çela ka pasur burime të ligjshme për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 67 m2 + 9 m2 në bashkëpronësi në Tiranë, në shtator të vitit 2008, kundrejt vlerës 60 mijë e 800 euro. Komisioni është bindur nga shpjegimet dhe provat e subjektit të rivlerësimit, ndërsa anëtarja në pakicë, Xhensila Pine vlerëson se Çela gjendet në pamundësi financiare për kryerjen e këtij investmi.

Si burim krijimi të kësaj pasurie, prokurori Çela ka deklaruar të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes si gjyqtare, magjistrate dhe juriste në Bashkinë Tiranë; dy hua, një në shumën 10 mijë euro të marrë nga vjehrra dhe një tjetër nga babai në vlerën 5 mijë euro. Gjithashtu, ka deklaruar si burim edhe një kredi në vlerën 3 milionë lekë.

Shumica konstaton se bashkëshortët Çela kanë krijuar kursime në formë likujditetesh që janë deklaruar rregullisht dhe janë përfshirë si të ardhura në analizën financiare, prej nga ka rezultuar se kanë pasur burime për pagesën e këstit të parë në shtator 2008 në shumën 18 mijë euro.

Në pakicë, anëtarja Xhensila Pine arsyeton se prokurori Çela dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur mundësi për pagesën e këstit të parë në vlerën 18 mijë euro, të paguar në shtator të 2008-ës. Sipas saj, nuk justifikohet shuma 1.5 milion lekë e depozituar cash në tetor të vitit 2006 që ka rezultuar si burim për krijimin e gjendjes cash në shumën 200 mijë lekë, dhe vlerat 140 mijë lekë e 300 mijë lekë në llogaritë rrjedhëse të tij e të bashkëshortes që kanë shërbyer për pagesën e këstit.

Gjithashtu, Pine vëren se ka mospërputhje mes pakësimeve të likuiditeteve në bankë deklaruar nga subjekti dhe personi i lidhur në vitin 2006. Ajo shton se nuk janë deklaruar si burim për pagesën e këtij kësti dhuratat nga vjehrri, vjehrra dhe nga babai i tij, por janë pasqyruar vetëm pagat dhe shpërblimet.

Për pagesën e këstit të dytë në vitin 2008 në vlerën 19 mijë euro, Çela ka deklaruar si burime kursimet nga pagat në shumën 4 mijë euro dhe dy hua të marra nga babai i tij dhe nga vjehrra, përkatësisht në shuma 5 mijë euro dhe 10 mijë euro.

Në vendimin e shumicës renditen të ardhurat e dokumentuara të vjehrrës së subjektit të rivlerësimit dhe konstatohet se ajo ka përfituar shumën 1.9 milionë lekë nga shitja e dy apartamenteve në gusht të vitit 2006, një në shumën 400 mijë lekë dhe tjetrin 1.5 milionë lekë, ku në këtë të fundit ka qenë bashkëpronare me ish-bashkëshortin.

Shumica është bindur nga shpjegimet e pokurorit Çela, i cili ka pretenduar se vjehrra e ka vazhduar bashkëjetesën me ish-bashkëshortin dhe se e ka disponuar gjithë vlerën 1.9 milion lekë. Si provë për këtë pretendim, subjekti ka dorëzuar edhe një deklaratë noteriale të vjehrrit që deklaron të njëjtën situatë.

Pine në pakicë i mëshon faktit se apartamentin e dytë në Lushnjë vjehrra e ka pasur në bashkëpronësi me ish-bashkëshortin dhe se pjesa takuese e saj ishte 750 mijë lekë.

“Deklarata e babait të bashkëshortes së subjektit (bërë gjatë pyetjes si dëshmitar gjatë hetimit administrative) nuk mund të rrëzojë parashikimet e dokumentit ligjor kontratë shitje,” konstaton Pine.

Pine evidenton se nga hetimi administrativ ka rezultuar se nëna e bashkëshortes ka shtuar në atë periudhë vlera të konsiderueshme monetare në dy llogari depozitë dhe vlerëson se nuk provohet që të ardhurat e përfituara nga shitja e pasurive të paluajtshme të jenë përdorura për huanë.

Trupi gjykues është ndarë edhe për huanë që prokurori Çela ka deklaruar se e ka marrë nga i ati në shumën 5 mijë euro.

Shumica konsaton se në vitet 2007 dhe 2008, prindërit e subjektit kanë pasur të ardhura nga pagat si mjekë në shumën 1 milion e 964 mijë lekë; të ardhura nga një kredi e marrë në “Alpha Bank” në shumën 10 mijë euro; si dhe teprica të kursyera deri në vitin 2006 në shumën 1 milion e 348 mijë lekë.

Komisioni e ka ka nisur analizën financiare nga viti 2006, kur prindërit i kanë dhuruar Çelës shumën 500 mijë lekë për blerjen e një automjeti dhe e ka shtrirë deri në dhënien e huasë 5 mijë euro në 2008-ën, prej nga ka rezultuar fillimisht një balancë negative në shumën 4 milionë e 918 mijë lekësh.

Subjekti i ka kundërshtuar këto konstatime, duke pretenduar se blerja e dy apartamenteve në Lushnjë nga prindërit është pasqyruar si shpenzim i kryer në vitin 2008, ndërkohë që këto shpenzime janë kryer prej tyre në vitet 2006 dhe 2007, përpara dhënies së huasë. Shumica i ka vlerësuar bindëse këto shpjegime dhe e ka përmbysur balancën negative në pozitive.

Për të vërtetuar mundësinë e prindërve për dhënien e një huaje tjetër në shumën 1 milion e 430 mijë lekë në vitin 2001 që ka shërbyer për shlyerjen e një pjese të kredisë së marrë për apartamentin, Çela ka vënë në dispozicion dokumente shkresore që vërtetojnë të ardhurat e tyre nga puna si mjekë në Lushnjë dhe se babai ka realizuar të ardhura honorare edhe nga mësimdhënia në degën e Infermierisë.

Shumica shprehet se nuk ka asnjë problematikë dhe dyshim sa i takon huasë 1 milion e 430 mijë lekë dhe arrin në përfundimin se prokurori Çela ka pasur burime të ligjshme për apartamentin në Tiranë dhe se ka kryer deklarime të sakta për këtë pasuri.

Pine vlerëson se analiza financiare e prindërve duhej të ishte gjithëpërfshirëse duke përfshirë mundësinë e dhurimeve dhe të huave nga viti 2006 deri në 2011-ën.

Ajo vlerëson se prindërit e Çelës rezultojnë me balancë negative në shumën 3.1 milionë lekë për këtë periudhë.

Ndryshe nga shumica, Pine ngre dyshime edhe mbi dy pasuri të tjera. Sipas saj Çela nuk ka deklaruar përdorimin e një automjeti për periudhën 2010-2016, që ka rezultuar në pronësi të kunatit, por policat e sigurimit janë prerë në emër të subjektit. Ajo shton gjithashtu se Çela duhej të kishte provuar burimet e ligjshme të vjehrrës për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 163.1 m2 në Tiranë për çmimin 114 mijë e 170 euro në vitin 2014, pasi subjekti i dhënë hua vjehrrës shumën 500 mijë lekë.

Ndërsa sipas shumicës, nuk ka rezultuar asnjë e dhënë nga cilido burim për lidhje të subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortes me këtë pasuri.

Pine ngre probleme edhe për profesionalizmin. Ajo evidenton një sërë konstatimesh, ku për një procedim penal subjekti nuk ka bërë prezente rrethanën rënduese të të proceduarit që kishte qenë përsëritës për të njëjtën vepër penale dhe se në tre çështje të tjera nuk kishte kryer hetime të plota.

Ndryshe nga shumica që e vlerëson të aftë profesionalisht, Pine shprehet se subjekti i rivlerësimit nuk mund të gëzojë besimin e publikut për të qëndruar në detyrë dhe se ndodhet në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit, duke kërkuar shkarkimin e prokurorit Arens Çela.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *