September 24, 2021
Shpërndaje lajmin

Shumica e trupit gjykues të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit konkludon se gjyqtari i Elbasanit, Ramazan Avdiu ka vepruar si tregtar në disa huadhënie ndër vite dhe ngre dyshime se me këto veprime ai ka krijuar një skemë për justifikimin e të ardhurave duke cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Në mendimin e pakicës thuhet se Avdiut nuk iu dha mundësia për një mbrojtje objektive.

Gjyqtari Ramazan Avdiu në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 6 maj të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Elbasanit, Ramazan Avdiu pasi konkludoi se ai kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë si dhe se kishte cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë në disa transaksione huadhënie nga ana e tij, me interesa.

Vendimi u disponua me shumicë votash nga kryesuesi i trupit gjykues, Olsi Komici dhe relatorja Valbona Sanxhaktari. Ndërsa anëtarja Xhensila Pine doli me mendim pakice duke çmuar se gjyqtarit Ramazan Avdiu nuk iu ofrua një proces i rregullt ligjor në KPK.

Ramazan Avdiu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe më pas kryetar në Gjykatën e Gramshit deri në vitin 2007, kur u suprimua kjo gjykatë. Prej vitit 2008, Avdiu e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Huadhëniet me interesa

Gjyqtari Avdiu ka pasqyruar në deklaratën veting likujditete bankare në shumën totale 4.3 milionë lekë. Ai ka deklaruar si burim krijimi të tyre të ardhurat nga paga tij si gjyqtar, paga e bashkëshortes dhe kursimet e mëparshme.

Ndërkohë, nga hetimi i KPK ka rezultuar se, veç pagave, për krijimin e këtyre shumave kanë shërbyer edhe derdhje cash. Subjekti ka shpjeguar se burim i shumave të depozituara kanë qenë gjendjet cash të mbajtura në banesë dhe të ardhurat nga huadhëniet. Në vendimin e arsyetuar në KPK pasqyrohen pesë huadhënie të gjyqtarit Avdiu.

Ai ka deklaruar se ka përfituar shumën 957 mijë lekë nga ekzekutimi i një vendimi gjyqësor të Gjykatës së Gramshit i vitit 2009, si shpërblim dёmi nga mosrespektimi i kontratës së huas së marrë nga shtetasi H. B. në vitin 2002, në shumën 10 mijë USD hua, me interes 10% në vit.

Ai ka kërkuar shpërblimin e dëmit për mos shlyerjen në kohë të huasë në masën 2.1 milionë lekë, si dhe interesin 10% të deyrimit të pashlyer. Ekzekutimi i vendimit është kryer pasi janë sekuestruar dhe shitur pasuritë e huamarrësit dhe në llogarinë e subjektit ka kaluar shuma 2.4 milionë lekë që është derdhur cash nga përmbaruesi gjyqësor.

Komisioni konkludon se Avdiu ka qenë në pamundësi për dhënien e kësaj huaje dhe se nuk është paguar tatimi për shumën e përfituar. Gjithashtu, Komisioni vlerëson se Avdiu ka vepruar si tregtar në këtë huadhënie.

Në deklaratën veting ai ka pasqyruar tre hua; një në shumën 2.1 milionë lekë me afat 2-vjeçar, me interes 10.7%; një nё vlerën 1.4 milionë lekë me interes 10% në vit, dhënë bashkëshortëve A. dhe Sh. D. në vitin 2013 dhe tjetra në 2015-ën në shumën 600 mijë lekë. Sipas KPK subjekti i rivlerësimit ka qenë në pamundësi financiare për dhëien e huasë në maj të vitit 2015.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Avdiu ka dhënë një hua tjetër në shumën 2.5 milionë lekë në vitin 2004 me afat kthimi 1 vit dhe interes 10%, transaksion që nuk është deklaruar prej tij.

Avdiu ka shpjeguar gjatë procesit të rivlerësimit se kjo hua është dhënë nga të ardhurat e vëllezërve të tij B. dhe K. A., emigrantë në Angli, të cilët kanë dërguar në emër të tij, nëpërmjet institucioneve financiare, Ëestern Union dhe MoneyGram, të ardhura që mbaheshin në banesën e subjektit për arsye sigurie.

Sipas KPK, edhe sikur kjo huadhënie të besohet se është me burim të ardhurash nga vëllezërit nga punësimi në emigracion, subjekti i rivlerësimit nuk duhet të kishte ndërmarrë veprime për kryerjen e një marrëdhënieje të tillë, tërësisht informale dhe me burime të panjohura dhënë shtetasve të panjohur gjithashtu.

Komisioni konstaton se Avdiu ka kryer deklarim të rremë për një prej burimeve të krijimit të një gjendje cash në vitin 2007 në shumën 885 mijë lekë. Në vendim sqarohet se, shuma 3 mijë e 641 USD e deklaruar nga Avdiu se ka shërbyer për krijimin e gjendjes cash në 2007-ën, rezulton se subjekti e ka transferuar në llogarinë e vëllait.

Analiza financiare

Nga analiza financiare paraprake e Komisionit e kryer për periudhën 2003 – 2016, ka rezultuar balancë negative në shumën totale 5 milionë lekë. Në këtë analizë nuk janë marrë në konsideratë pjesërisht vlerat e arkëtuara nga huamarrësit, si dhe ato të përfituara nga vendimi gjyqësor në vitin 2009. Gjithashtu, nuk janë konsideruar interesat bankare të realizuara nga këto të ardhura.

Balancë negative në shumën 700 mijë lekë është konstatuar edhe për periudhën deri në fillim të vitit 2003, konkretisht për blerjen e një apartamenti në vitin 1996 dhe dhënien e një huaje në 2002-in.

Pas kalimit të barrës së provës, Avdiu ka kërkuar përfshirjen në analizën financiare të viteve 2003 – 2016 të shumave të kthyera nga huat dhe të ardhurave të përfituara nga vendimi gjyqësor i vitit 2009. Ai ka kërkuar të merret në konsideratë edhe vlera 3 mijë e 641 USD në vitin 2007; rishikimi i shpenzimeve jetike; si dhe një gabim material i KPK në pasqyrimin e gjendjes cash në vitin 2003. Avdiu ka kërkuar rishikim të shpenzimeve edhe për një ndërtimin informal të kryer në vitin 2012 dhe vlerën e blerjes së një apartamenti në vitin 2010 për shumën 3 milionë lekë.

Pas rishikimit të analizës financiare për periudhën 1989 – prill 2002, ka rezultuar sërish balancë negative, në shumën 546 mijë lekë. Për periudhën 2003-2016, KPK ka pranuar të konsiderojë vetëm shumën cash në vlerën 350 mijë lekë në vitin 2003, prej nga balanca negative ka mbetur në shumën totale 4 milionë e 798 mijë lekë.

Komisioni vlerëson se huadhëniet duken si një taktikë e gjyqtarit e kryer gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës. Sipas shumicës, veprimtaria e huadhënieve nga ana e subjektit e vlerësuar në tërësi duket e dyshimtë dhe krijon perceptimin e veprimeve të kryera si një skemë për justifikimin e të ardhurave. […]e cila realizohet tërësisht në informalitet dhe pa asnjë përpjekje të subjektit të rivlerësimit për të krijuar transparence”, konstaton KPK.

“Duket sikur subjekti rivlerësimit, krahas ushtrimit të detyrës së tij si gjyqtar i Republikës së Shqipërisë ka ushtruar edhe veprimtari që duhet të ushtrohet nga banka apo persona të licencuar, që në të paktën dy raste ka rezultuar se u ka shkaktuar pasoja të rënda huamarrësve deri në sekuestrim të pasurive të tyre nëpërmjet ekzekutimeve gjyqësore”, vëren shumica dhe vlerëson se ushtrimi i kësaj veprimtarie nga një gjyqtar duket i papranueshëm me etikën e tij dhe në cenim të besimit të publikut te drejtësia.

Shumica i konsideron këto konkluzione të mjaftueshme për të marrë vendim vetëm lidhur me kriterin e pasurisë, duke e çmuar të panevojshëm hapjen e hetimit për dy kriteret e tjera të rivlerësimit, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Mendimi i pakicës

Ndryshe nga shumica që ka votuar për shkarkimin e gjyqtarit Ramazan Avdiu, komisinerja Xhensila Pine ngre pikëpyetje mbi procesin e rregullt ligjor që i është ofruar këtij subjekti rivlerësimi nga KPK.

Ajo sjell në vëmendje faktin se Avdiu kërkoi riçeljen e hetimit administrativ për pasurinë për shkak të gabimit material në pasqyrimin e gjendjes cash në vitin 2003.

Avdiu pretendoi se, pas pasojave në analizën financiare të rrjedhura nga korrigjimi i gabimit, nga ana e Komisionit nuk është rikryer rezultati i hetimit administrativ dhe se ai nuk di se cili është qëndrimi i KPK në lidhje me ato elemente që preken nga ndreqja e gabimit.

Pine vlerëson se, pranimi i kërkesës për rihapje të hetimit administrativ dhe informimi i tij mbi rezultatin e rishikuar do të ishte në respektim të udhëzimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ-së, duke garantuar që subjekti të mos vendosej në një gjendje të pafavorshme.

“[…]në vlerësimin tim si anëtare në pakicë është e pamundur të arrihet në konkluzionin përfundimtar lidhur me kontrollin e vlerësimit të pasurisë pa iu dhënë më parë mundësia objektive e mbrojtjes, subjektit të rivlerësimit nëpërmjet mundësive të qarta, praktike dhe efektive për të ushtruar këtë të drejtë”, përfundon Pine arsyetimin e saj dhe shprehet se ka votuar


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *