Krerët e shtetit kujtojnë Kushtetutën e Kaçanikut: Ndër ngjarjet më madhore për liri e pavarësi

0
Shpërndaje lajmin

Kryetarët e partive opozitare në vend kanë kujtuar sot 7 shtatorin e vitit 1990, të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, që shënoi një moment historik të drejtimit të ri të përpjekjeve për liri.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, theksoi se ky ishte një akt guximtar që i dha zemër rezistencës qytetare kundër pushtimit serbo-jugosllav.
“Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanik, shënoi një moment historik, duke i dhënë një drejtim të ri përpjekjeve të popullit për liri dhe pavarësi.
Ky ishte një akt guximtar, që i dha zemër rezistencës qytetare kundër pushtimit serbo-jugosllav. Rrugëtimi i nisur më herët, falë angazhimeve të shumë gjeneratave, që kulmuan me luftën çlirimtare, u përmbyll me krijimin e shtetit tonë të pavarur e demokratik”, shkruan ai.
Ndërkaq, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se, edhe pse në rrethana të vështira të okupimit nga Serbia, elita politike dhe intelektuale e asaj kohe e grumbulluar rreth lëvizjes më demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës, organizuan dhe themeluan institucionet e para demokratike të një shteti që po formohej.
“Datat si kjo, e 7 shtatorit të vitit 1990, na kujtojnë me krenari vendosmërinë dhe guximin e deputetëve të asaj kohe për aktin historik dhe gurthemelin në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovë- shpalljen e Kushtetuës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.
Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte thjesht një dokument juridik; ishte një akt i fuqishëm rezistence ndaj pushtimit dhe padrejtësive që përjetonte populli i Kosovës. Ajo përfaqësonte vullnetin e palëkundur të një kombi të tërë, për të jetuar në liri dhe për të ndërtuar një shtet të drejtë, të pavarur dhe demokratik”, shkruan ai.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *