October 28, 2021

KRIIK kritikon qeverinë për shkelje të të drejtave të zgjedhësve

Shpërndaje lajmin

Koalicioni vendor i monitoruesve të zgjedhjeve i organizatës KRIIK vërejti njëanshmëri të policisë ndaj opozitës apo kandidatëve të pavarur si dhe kritikoi praninë e zyrtarëve publikë në mitingjet elektorale të PS-së në raportin e parë të vrojtuesve për zgjedhjet e së dielës.

Një zyrtar i zgjedhjeve në Tiranë. Foto: LSA

Koalicioni i vrojtuesve vendorë vlerësoi negativisht disa aspekte të fushatës elektorale dhe të procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke veçuar përdorimin e administratës publike në zgjedhje dhe ndalimin e të sëmurëve me COVID-19 dhe të ardhurve nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut nga votimet në Shqipëri për shkak të urdhrit të karantinimit 14 ditor.

Antuela Malaj nga KRIIK deklaroi në një konferencë për shtyp: “Bllokimi i votimit të qytetarëve me COVID dhe atyre të karantinuar nga Greqia e Maqedonia e Veriut shkel të drejtën e votimit dhe nuk justifikohet dot nga argumentet e komitetit teknik”.

KRIIK theksoi gjithashtu se gjatë fushatës elektorale u vu re prania e drejtorëve publikë nëpër mitingjet e qeverisë, gjë që shkel parimin e ndarjes së shtetit nga partia në pushtet ndërsa cilësoi si jo normale krijimin e Grupeve të Mbrojtjes së Votës nga Partia Demokratike me ish-oficerë policie të armatosur.

Rapoprti vërejti gjithashtu se policia dukej se veproi në mënyrë selektive duke gjobitur kandidatë të opozitës apo kandidatë të pavarur për shkelje të rregullave kundër përjapjes së koronavirusit të ri.

Sipas KRIIK, gjatë fushatës elektorale në rrjetin social Facebook është vënë re prania e reklamave elektorale me parti politike financuese të padeklaruar, gjë që sugjeron aktivitet nga palë të treta apo fshehje të shpenzimeve elektorale.

Vëzhguesit kritikuan gjithashtu si joefikas mekanizmin e zbatimit të parimit të trajtimit të barabartë të palëve nga media audiovizive.

“Ka ngërç në mekanizmin e mbikëqyrjes së medias ndaj fushatës elektorale,” deklaroi KRIIK.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *