January 25, 2022

Kriza demografike e Europës është një sfidë, jo një katastrofë

Shpërndaje lajmin

Nga Alanna Armitage, Balkan Insight

Pandemia mund të ketë përshpejtuar, të paktën përkohësisht, trendin global uljes së lindshmërisë. Statistikat e vitit 2020, nëntë muaj pasi filluan bllokimet e para, tregojnë një rënie të ndjeshme të numrit të lindjeve në shumë vende europiane.

Lajmet në lidhje me një rënien e lindshmërisë  kanë rritur shqetësimin në disa vende. Pandemia dhe ndikimi i saj përkeqësuan edhe më shumë nivelet e lindshmërisë që tashmë ishin të ulëta në të gjithë Europën.

Në Europën Lindore, migrimi masiv ka rritur edhe më tepër problemin. Si rezultat, popullatat po zvogëlohen. Që nga vitet 1990, një e katërta e popullsisë së Bullgarisë dhe Letonisë ka migruar. Ne nuk e dimë nëse nivelet e lindjeve do të jenë të njëjta pas pandemisë. Historikisht, krizat e mëdha kanë çuar në rënie të niveleve të lindshmërisë, por përgjithësisht janë pasuar nga një rritje.

Të dhënat  nga Tomas Sobotka, një demograf, tregojnë se nivelet e lindjeve në Europë kanë treguar rritje gjatë muajve të fundit. Nëse vazhdon apo jo kjo rritje do të varet nga sa i qëndrueshëm do të jetë ndikimi social dhe ekonomik i pandemisë, raporton abcnews.al

 

Në vend që të shqetësohemi për rritjen e numrit të  popullsisë, është koha të pranojmë që numri i ulët i lindjeve do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Dhe është koha të përgatisim ekonomitë dhe shoqëritë  për këtë të ardhme demografike, por të pashmangshme.

Kjo nuk është diçka e lehtë. Dhe është e vërtetë që ekonomitë mund të tkurren  kur numri i popullsisë të shënojë rënie. Por kjo nuk do të thotë që njerëzit do të bëhen më të varfër. Prosperiteti për frymë mund të rritet ndërsa forca e punës zvogëlohet, pagat ka të ngjarë të rriten, dhe kjo do të rrisë produktivitetin, raporton abcnews.al

Numri i ulët i popullsisë është diçka pozitive për planetin; më pak njerëz do të thotë më pak konsum, më pak presion mbi burimet e pakta dhe më pak ndotje. Kalimi nga rritja e popullsisë në uljen e popullsisë është një sfidë, për shumë vende, veçanërisht ato në Europën Lindore.

Shoqëritë po plaken me ritme të shpejta, ka më pak njerëz që mund të punojnë për tu siguruar  jetesën të moshuarve, dhe zonat rurale po përballen me shpopullim ndërsa njerëzit lëvizin në qytete më të mëdha ose jashtë vendit për mundësi më të mira.

Sistemet sociale po vihen nën presion dhe mirëmbajtja e  infrastrukturës dhe shërbimeve në rajone jo shumë të populluara kushton shumë, raporton abcnews.al

 

Por këto sfida  mund të menaxhohen.  Jo vetëm kaq, ato krijojnë  mundësi për risi që mund t’i katapultojë vendet drejt një të ardhme më të prosperuar. Vendet si Kluzh në Rumani ose Beograd në Serbi shihen si qendra kryesore për industrinë e teknologjisë, duke tërhequr talente nga brenda vendit dhe nga jashtë.

Në të gjithë Europën Lindore, emigrantët janë kthyer në shtëpi për shkak të pandemisë, por më të aftë, me më shumë njohuri  të vlefshme për vendin e tyre. Qeveritë po eksperimentojnë  në mënyra të ndryshme për të shfrytëzuar kontributin kryesor që të moshuarit mund të japin dhe për t’i integruar më mirë në ekonomi dhe shoqëri; për të hapur tregjet e punës dhe jetën publike më gjerësisht – ndaj grave, pakicave dhe grupeve të tjera të margjinalizuara – duke përdorur burime që deri më tani janë nënvlerësuar.

A do të thotë kjo se normat e lindjeve nuk kanë aspak rëndësi? Jo domosdoshmërish.

Njerëzit në të gjithë Europën zakonisht thonë se duan dy fëmijë, por lindin një ose asnjë. Ky hendek midis  dëshirës për të pasur fëmijë dhe asaj që në të vërtetë ndodh është ajo për të cilën qeveritë duhet të përqendrohen – jo me synimin për të rritur numrin e popullsisë, por për të ndihmuar njerëzit që ata të lindin sa fëmijë dëshirojnë.

 

Kjo kërkon eliminimin e shumë pengesave me të cilat përballen njerëzit kur krijojnë një familje: pasiguritë ekonomike, kostoja e lartë e strehimit, shterpësia e cila është në rritje, mungesa e kujdesit për fëmijët dhe pritja që gratë të bëjnë kompromis në karrierën e tyre dhe të mbajnë barrën e kujdesit vetëm.

Përparimi drejt krijimit të shoqërive me mundësi më të barabarta si për gratë dhe për  burrat mund të çojë në nivele më të larta lindjesh, pasi njerëzit do të ndihen më të sigurt për të krijuar një familje dhe të lindin aq fëmijë sa ata dëshirojnë, raporton abcnews.al

Por duhet të merren masa të nevojshme për t’u siguruar njerëzve që ata mund të lindin sa fëmijë  dëshirojnë, duke përmirësuar mirëqenien e tyre dhe duke avancuar  potencialin e zhvillimit të vendeve.

UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë, vlerëson  rëndësinë demografike në formësimin e së ardhmes së vendeve. Gjithashtu mbështet vendet në forcimin e rezistencës së tyre demografike dhe në shfrytëzimin e mundësive që kanë.

Sa më shpejt të pranojmë që zgjidhja e problemeve demografike e Europës nuk qëndron në rritjen e nivelit të lindjeve, atëherë do të jemi në gjendje të përqendrohemi në atë që ka vërtet rëndësi në adresimin e krizës së popullsisë në kontinent.

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *