October 16, 2021

Kryeprokurori Olsian Çela kërkon inspektime në 7 prokurori

Shpërndaje lajmin

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela i kërkoi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të inspektojë 7 prokurori të rretheve gjyqësore për organizimin e punës së prokurorëve dhe luftën ndaj kriminalitetit dhe pastrimit të parave.

Kryeprokurori Olsian Çela. Foto: LSA. 

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se në vijim të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, i ka kërkuar këtij të fundit kryerjen e inspektimeve pranë disa prokurorive.

Në njoftim thuhet se, nisur nga disa probleme të konstatuara gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i ka kërkuar Metanit të kryejë inspektime për periudhën 2020-2021 pranë prokurorive të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Korçës, Shkodrës dhe Vlorës.

“…Duke vlerësuar si çështje prioritare ato që lidhen me garantimin e pavarësisë së prokurorëve si dhe llogaridhënien e drejtuesve dhe prokurorëve, i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kryerjen e inspektimeve tematike në 7 Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë me objekt masat administrative dhe procedurale të marra për zbatimin e udhëzimeve dhe urdhrave të Prokurorit të Përgjithshëm,” citohet në njoftim.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të premten, më 21 maj se i është kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD të nisë procedurën e inspektimit për hetimin e dy prokuroreve të Dibrës, Belina Zeneli dhe Xhoana Mehmetaj, për zvarritje të hetimeve dhe shkelje të dispozitave ligjore.

Gjithashtu, u kërkua të verifikohet edhe veprimtaria e drejtuesit të Prokurorisë Dibër, Rifat Kojku, për mënyrën se si i ka ushtruar kompetencat për të parandaluar situatën e krijuar në zvarritjen e proceseve hetimore.

Më datë 6 maj, Pokurori i Përgjithshëm i kërkoi ILD-së nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Armarda Xhaferri në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pasi u konstatua se kishte zvarritur veprimet procedurale në hetimin e çështjeve.

Më parë, më 30 tetor 2020, u kërkua inspektimi i punës së prokurorit të Pogradecit, Shkëlqim Kokona pasi drejtuesi i asaj prokurorie kishte referuar të dhëna për veprime që përbënin indicie për shkelje disiplinore në ushtrimin e detyrës.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *