Kujtohet Masakra e Lybeniqit: Nuk u kursyen as fëmijë e pleq
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën e fshatit Lybeniq të Pejës, që ndodhi 25 vjet më parë.
Ajo ka thënë se tendenca për shfarosjen e popullit shqiptar, nuk i ka kursyer as fëmijët.
“25- vjet më parë, regjimi gjenocidal i Serbisë, sikurse në shumë anë të Kosovës, dëshmoi barbarinë e tij, duke vrarë 79 civilë të fshatit Lybeniq. Tendenca për shfarosje të popullit shqiptar nuk kurseu as Muhametin 18-muajsh dhe Leonardin, 7-vjeçar”, është shprehur ajo.
Ajo shton se është obligim institucional që të mos ndalen së përpjekuri për vendosjen e drejtësisë për viktimat.
Më 25 maj të vitit 1998, në këtë fshat u vranë nëntë banorë, ndërsa më 1 prill të vitit 1999 u pushkatuan 72 të tjerë, në mesin e tyre gra shtatzëna, foshnja, fëmijë të mitur dhe burra të moshave të ndryshme dhe pleq.