“Kundërshtari” i Kurtit mbetet në krye të Prokurorisë Speciale, vazhdon përpjekjen për t’u bërë kryeprokuor i shtetit
Kryeprokuror i shtetit tash për tash nuk do të bëhet, por njeriu të cilin kryeministri Albin Kurti e akuzon për “disponim politik negativ ndaj pushtetit të ri”, do të mbetet kryeprokuror në Prokurorinë Speciale, të paktën edhe katër vjet.
Gazeta Express
Blerim Isufaj u refuzua zyrtarisht nga presidentja Vjosa Osmani për t’u bërë kryeprokuror i shtetit, por në krye të Prokurorisë Speciale ai do të qëndrojë edhe për 4 vjet të tjera.
Prokurori i padëshiruar nga pushteti të hënën u rizgjodh në krye të këtij organi të specializuar prokurorial. Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial, për të pati 9 vota, ndërkaq 1 ishte kundër. Paraprakisht, KPK-ja e vlerësoi Isufajn me më së shumti pikë në mesin e të gjithë kandidadtëve për këtë pozitë. Naim Abazi, Valdet Gashi dhe Atdhe Dema ishin prokurorët tjerë në garë.
Vendimi i presidentes Vjosa Osmani në tetor për të mos e dekretuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit nuk e ka zmbrapsur Këshillin Prokurorial që në fillim të muajit pasues t’ia çonte asaj sërish të njëjtin emër për dekretim. Me letrën e KPK-së të nënshkruar nga kryesuesi i Këshillit, Jetish Maloku, në Presidencë nuk janë marrë ende.
Osmani më 17 tetor foli për “shkelje masive” në procesin e përzgjedhjes së Isufajt dhe tha se sipas ligjit dhe Kushtetutës, “Këshilli Prokurorial ka të drejtë që ta bëjë propozimin e kandidatit për kryeprokuror një herë”, për dallim prej çështjes së prokurorëve. Edhe njohësit e çështjeve juridike thonë se sipas ligjit, ky proces duhet të kthehet në pikën zero – pra, të hapet një konkurs i ri. Por në KPK nuk u bindën dhe dy javë pas vendimit të Osmanit votuan unanimisht për ta bërë edhe një tentim.
Ndërkohë që Isufaj nuk është dorëzuar në përpjekjen për të mbërritur në krye të institucionit më të lartë të ndjekjes, kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur hapur antipatinë ndaj kryeprokurorit special.
Isufaj ‘kundërshtar’ i Kurtit, kryeministri garantonte se ai s’do të mund të bëhej kryeprokuror
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale këtë vit ishte nën sulme nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e partisë në pushtet.
Shefi i Qeverisë i pati etiketuar prokurorët si kundërshtarë, duke e shënjestruar hapur Isufajn në një seancë të Kuvendit në prill, pasi me urdhër të Prokurorisë Speciale ishte arrestuar kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i afërt me LVV-në.
“Prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, shprehej Kurti.
Kurti i quante prokurorët “njerëz të cilët ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit 2021”, ndërsa e akuzonte Prokurorinë se, sipas tij, nuk i kishte hetuar keqpërdorimet që ishin bërë në të kaluarën në KEK.
“E dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën dhe keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë hetuar nga prokuroria. Prokuroria është e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut më 2022 ka qenë 107 milionë euro. Zelli i Prokurorisë për t’u marrë me deponimet, e faktet, e dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme është zero, ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin i cili solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, deklaronte Kurti.
Kurti thoshte se nuk kishte dyshim se në Prokurori ekziston “një disponim politik negativ ndaj pushtetit të ri” dhe sipas tij, kjo lidhet me kryeprokurorin e Speciales, Blerim Isufajn.
“Kjo lidhet më shumë se me askë tjetër me figurën e Blerim Isufajt. Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanj e kategorizoi me vetëvrasje ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si kryeprokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror do të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit. Është siklet i madh për tre krerët e shtetit kur drejtësia lëngon pikërisht për shkak se kemi një prokurori që nganjëherë nuk do e nganjëherë nuk di, e shpesh të dyja”, theksonte ai.
Isufajn e patën sulmuar edhe deputetët e LVV-së, Halil Thaçi, Arbër Rexhaj, Artan Abrashi e Adnan Rrustemaj, të cilët arrestimin e kryeshefit të KEK-ut e konsideronin si hakmarrje të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale që s’po mund të bëhej kryeprokuror i shtetit.
Kurti e akuzonte atë edhe se nuk kishte lëvizur përkundër se, siç thoshte, AKI-ja kishte ofruar fakte dhe dëshmi “pa numër” për barrikadat e ngritura nga strukturat paralele në veri.
“Asnjë aktakuzë. si është e mundur që AKI i dërgon aq shumë fakte prokurorisë sonë dhe ajo nuk vepron”, shprehej ai.
“Për drejtësi na duhet Prokuroria aktive dhe e mirë; për drejtësi na duhet gjyqësori efikas dhe i ditur”, theksonte Kurti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit më 6 prill 2022. Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
E pakënaqur me gjendjen në sistemin prokurorial, Qeveria e kishte përpiluar një ligj të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili në qershor të vitit të kaluar ishte miratuar në Kuvend. Ky ligj parashihte ndryshimin e përbërjes së KPK-së, por ai më pas u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.
Kushtetuesja e kishte hedhur poshtë ligjin, i cili, sipas Qeverisë, do t’i hapte rrugë reformave të thella në sistemin e drejtësisë.
Ligji i rrëzuar përcaktonte që gjashtë prej nëntë prokurorëve aktualë në KPK do t’iu ndërpritej mandati. Tre, të cilët do të mbeteshin aty deri në përfundim të mandatit, do të përzgjidheshin me një short, siç thoshte ministrja Albulena Haxhiu. Për plotësimin e përbërjes së KPK, do të organizoheshin zgjedhje në nivel të të gjitha prokurorive ku mund të votojë secili prokuror.
Instanca më e lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë ka pasur vërejtje serioze sidomos në këtë pikë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo do të kishte pasoja edhe në rendin demokratik e sundimin e ligjit në vend. /gazetaexpress.com/