Kurti e quan urgjente çështjen e adresimit të krimeve të luftës: Po i humbim dëshmitarët
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar urgjente çështjen e adresimit të krimeve të luftës në Kosovë, duke thënë se për krimet e Serbisë janë duke humbur dëshmitarët, përcjell albinfo.ch.
“Krimet nuk vjetërsohen, por dëshmitarët po janë më të moshuar. Besoni që në shumë prej varrezave ku janë martirët e dëshmorët e kombit, po bashkëngjiten edhe varret e të mbijetuarve që në vitet e fundit kanë ndërruar jetë. Andaj është çështje urgjente adresimi i krimeve të luftës sidomos për shkak se me kalimin e viteve jemi duke i humbur dëshmitarët. Dëshmitë janë aty, por jemi duke i humbur dëshmitarët sepse u bë çerekshekulli nga lufta e fundit në Kosovë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë të martën.
Deklarimin ai e bëri pasi përmendi listën e gjatë të masakrave që këtë muaj kanë përvjetorin e 25-të. Ai ka thënë se Qeveria e tij ka shtuar mbështetjen për familjet që kanë humbur më të afërmit e ka rritur mbështetjen për të dokumentuar me saktësi krimet.
Kurti po ashtu ka thënë se në pyetësorin për regjistrimin e popullsisë që nis këtë të premte ndër pyetjet do të jetë edhe çështja e dëmeve të pësuara gjatë luftës.
Ai ka thënë se në vitin 2023 janë intervistuar 191 dëshmitarë të krimeve të luftës, ndërsa vetëm sivjet deri tash janë intervistuar 169.