Kurti: I kuptoj ndërkombëtarët, por çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve
Kryeministrii Kosovës, Abin Kurti, ka reaguar për zhvillimet e të premtes në veri, dhe pas kritikave të ashpra që mori nga ndërkombëtarët, përcjell albinfo.ch.
Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë, por çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve.
Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mospërmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka ftuar të gjithë qytetarët, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.
“Të cilat do të jenë multietnike, multikulturore, multigjuhësore dhe multipartiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”.
Ai ka falënderuar pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës për siç ka thënë qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit. “Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit.Rendi dhe ligji, demokracia dhe lëvizja e lirë, siguria dhe paqja, mund dhe duhet të ecin krah për krah. Për këto angazhohemi çdo ditë dhe në përpikëri”, ka shkruar Kurti.
Në fund ai ka njoftuar se rrugët në veri janë që të gjitha të hapura e të qarkullueshme për qytetarët. I pari i Qeverisë ka porositur Komunat dhe kryetarët duhet të punojnë shumë “sepse kemi shumë punë për të bërë për qytetarët.Ju dëshiroj të gjithëve një fundjavë të këndshme!”, ka përfunduar kryeministri.
Gjatë ditës së premte derisa kryetarët e rinj të katër komunave atje po tentonin të hynin në zyrat e tyre, u priten me protesta nga qytetarët serb në përpjekje për ta penguar hyrjen e tyre në ndërtesat e komunave. Polica përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë protestuesit. Ndërsa veprimet e insitucioneve të Kosovës u dënuan nga aleatët ndërkombëtarë.