Kurti ka kërkuar që Zvicra të mos i tërheqë ushtarët e saj nga Kosova

Shpërndaje lajmin

I pyetur për kërkesën e partisë më të madhe në Zvicër, SVP, për këtë, Kurti tha në një intervistë për të përditshmen zvicerane, Blick, se nuk do të dëshironte që kjo të ndodhë.
“Ne nuk do të dëshironim që ajo t’i tërheqë ushtarët e saj nga Kosova. Tani nuk është koha e duhur për këtë. Serbia i ka ndërtuar 48 baza ushtarake në kufirin tonë, të cilat përbëjnë kërcënim për vendin tonë, pranë tyre janë parë mercenarë të grupit Wagner dhe bandës famëkeqe të Ujqërve të Natës. Ne kemi nevojë për mbështetjen e Zvicrës dhe mezi pres që Zvicra të zgjasë mandatin e saj deri në vitin 2026 së shpejti”, tha ai,
Kryeministri përsëriti kërkesën e tij për shtimin e trupave të NATO-s, dhe pati një përgjigje kur u pyet pse e ka bërë këtë.
“Unë kam sinjalizuar interesin tim për një rritje – por sigurisht që i takon NATO-s të vendosë. Unë mendoj se fakti që ne kemi një fqinj më të madh që nuk na njeh dhe që po bashkëpunon gjithnjë e më shumë me Kremlinin, duhet ta inkurajojë NATO-n ta rrisë praninë e saj. Kjo zvogëlon gjasat e konflikteve të ardhshme”, tha Kurti. /Albinfo.ch

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *