Kurti kërkon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të qëndrimit në Vjenë të Austrisë ishte mysafir i ftuar nga Karl-Renner-Institut për të diskutuar mbi temën “Kosova: Shteti i ri demokratik si peng i interesave gjeopolitike”.
Nga atje ai kërkoi ekstradimin në Kosovë të Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, të cilët kanë kryer akt terrorist në Kosovë.
Para të pranishmëve Kurti ka folur rreth armëve që u konfiskuan në Banjskë të Zveçanit, e të cilat kapnin vlerën e mbi 5 milionë eurove.
Për këtë akt terrorist, Kurti tha se Serbia dështoi në planin e saj.
“Urdhri im për ministrin e Brendshëm ishte zero viktima te civilët, asnjë plumb nga policët tanë në murin e manastirit. Çfarë na duhet tani është ekstradimi i këtij grupi të Milan Radoiçiqit. Ai është paraburgosur për pak orë dhe është liruar menjëherë. Brigada Veriore dhe Mbrojtja Civile, dy organizata terroriste të shpallura të tilla më 20 qershor të këtij viti. Tani na duhet ekstradimi i Radojçicit”, tha Kurti, përcjell albinfo.ch.