Kurti për situatën në Veri: Kuptojmë ndërkombëtarët, por po respektojmë Kushtetutën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme në veri të vendit.
Ai është shprehur se shkuarja në vendet e punës së kryetarëve të rinj, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në komunat në veri duhej të ishte gjëja më normale e mundshme.
“Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se i kuptojnë shqetësimet e ndërkombëtarëve lidhur me situatën e krijuar, por ka shtuar se opsionet e tjera do të ishin mospërmbushje e obligimeve kushtetuese.
Kryeministri Kurti i ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë. Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka falënderuar Policinë për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit.
Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.
LEXONI GJITHASHTU:
QUINT reagon për tensionet në Veri: Autoritetet e Kosovës të zmbrapsen menjëherë
Kurti: Policia e Kosovës është angazhuar në veri, sipas detyrës zyrtare