April 18, 2021

Kurti sot bën homazhe në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël dhe në Suharekë

Shpërndaje lajmin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme do të bëjë homazhe në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël dhe te Kompleksi Memorial për viktimat e familjes Berisha në Komunën e Suharekës.

Homazhe për të nderuar viktimat e masakrave serbe mbi popullatën civile 22 vite më parë.

Në ora 11:00 Kurti do të bëjë Homazhe te Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe dhe në ora 11:30 tek Kompleksi i Varrezave në Krushë të Vogël.

Ndërsa, në ora 12:30 Kurti bën homazhe te Kompleksi Memorial për viktimat e familjes Berisha në Komunën e Suharekës.

Ndryshe, 22 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.

E tëra nisi kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk gjendet më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, do të shfaqeshin paramilitarët serbë, që disa do t’i vrisnin në pragun e shtëpisë e të tjerët do t’i dëbonin nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin kafiteri, ku edhe do të ndodhte masakra.

Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.

Këta të tre gjatë transportit të viktimave të drejt Prizrenit, kanë kërcyer nga kamioni që ishte në lëvizje për të shpëtuar.

Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në kamionin kishte edhe të tjerë që ishin gjallë, por të plagosur. Për të nderuar këtë familje gjatë ditës do të bëhen homazhe te Lapidari i Martirëve në Suharekë.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *