November 27, 2021

Kuvendi miraton me 117 vota ngritjen e komisionit hetimor për inceneratorët

Shpërndaje lajmin

Me një javë vonesë dhe pas dështimit për gjetjen e një kompromisi mbi objektin e hetimit, socialistët votuan në favor të ngritjes së komisionit hetimor për koncesionet e inceneratorëve siç kërkohej nga Partia Demokratike.

Kuvendi i Shqipërisë në mbledhjen e parë më 10 shtator 2021. Foto: LSA

Kuvendi ka miratuar të enjten në darkë ngritjen e komisionit hetimor të kërkuar nga Partia Demokratike për “aferën e inceneratorëve”.  Negociatat mes mazhorancës dhe opozitës për të ndryshuar formulimin e kërkesës sipas propozimeve të PS-së dështuan, por deputetët socialistë nuk nxorën pretendime të reja në seancë.

Projektvendimi mori 117 vota, asnjë kundër dhe 1 abstenim. Komisioni u ngrit sipas objektit fillestar të hetimit për;  “kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier”.

Kryetare e këtij komisioni u zgjodh deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ndërsa zv/kryetare, deputetja socialiste, Ermonela Felaj.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese mbi ngritjen e komisioneve hetimore e bën thuajse të pamundur refuzimin e një kërkese të opozitës. Nga tre komisione të kërkuara nga PD, shumica refuzoi vetëm atë mbi të ashtuquajturën “çështja Becchetti”, mbi pretendimin se publikimi i dokumenteve cënonte interesat e shtetit.

Gjatë debateve në parlament Tabaku e cilësoi çështjen e inceneratorëve si një aferë të madhe korruptive, e cila tregon sipas saj, “se si qeveria u ngrit në këmbë dhe miratoi brenda 1 dite të vetme 17 vendime për inceneratorin e Elbasanit”.

Më herët gjatë seancës së të enjtes deputeti demokrat Gazmend Bardhi akuzoi ish-ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknuri, se ka udhëtuar disa herë me dy përfituesit pas kontratave të inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Gjiknuri tha se ministria që ai drejtonte nuk kishte të bënte me kontratat.

Në seancën e djeshme pas disa orësh debate parlamenti miratoi edhe Eurobondin 700 milionë euro të propozuar nga qeveria. Projektligji mori 78 vota pro dhe 4 kundër dhe u kundërshtua fort nga opozita si një borxh që do t’i rëndojë ekonomisë së vendit. Po ashtu u miratua dhe buxheti faktik i vitit 2020 me 76 vota pro dhe 41 kundër.

Tre kontratat koncesionare në fjalë janë fituar nga kompani të lidhura me njëra-tjetrën. Në një investigim të publikuar shtatorin e kaluar, BIRN zbuloi se Mirel Mërtiri, i afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe me lidhje në të dy krahët e politikës qëndron në hijen e koncesioneve të mbetjeve përmes disa kompanive ‘satelite’. Tre kontratat koncensionare për ngritjen e impianteve të plehrave që i kushtojnë buxhetit të shtetit  deri në 400 milionë euro janë në hetim prej kohësh edhe nga Struktura e Posaçme për Anti Korrupsionin (SPAK).


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *