LAPSH promovon 3 libra në gjuhën shqipe

Shpërndaje lajmin

Në ambientet e ambasadës së Kosovës në Bernë, më 7 maj u bë promovimi i tre librave të LAPSh-së: i librit jubilar, botuar në 30-vjetorin e LAPSh-së, i librit të Hamzë Morina, kushtuar veprimtarisë arsimore të LAPSh-së, të kantonit Aargau, i librit të Agim Paçarizi, i cili përmbledh veprimtarinë e LAPSh-së kantonale të Gjenevës, si dhe i 7 teksteve didaktike, të përkthyera në gjuhën shqipe, transmeton Albinfo.ch.

Programin e moderoi mësimdhënësi shumëvjeçar i arsimit në kantonin e Bernës, Amrush Avdimetaj.
Të pranishmit, në emër të ambasadorit të Kosovës në Bernë, i përshëndeti dhe u dëshiroi suksese në promovim, Favzije Blakaj, konsulle e Republikës së Kosovës në Bernë.

Pas Blakaj, mësuesja Mirela Duka-Xoxi lexoi para të pranishmëve recensionin e Nuhi Gashi, ish udhëheqës i njësisë për mësimin plotësues në mërgatë, në MAShT-it dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës.
Ndërsa autorët e librave, Hamzë Morina dhe Agim Paçarizi folën rreth punës dhe sfidave që i kanë shoqëruar gjatë mbledhjes dhe sigurimit të materialeve për librat.
Pas autorëve të të dy librave, fjala iu dha edhe dy redaktoreve të librit jubilar: ” 30 vjet shkollë shqipe e mësimit plotësues në Zvicër”, Saime Isufi e Nexhmije Mehmetaj.
Në fjalën e tyre të dy zonjat nxorën në pah punën njëvjeçare rreth redaktimit të shkrimeve të dërguara nga autorët nga shumica kantoneve të Zvicrës.
Fjala e Nexhat Malok si kryetar i LAPSh-së por edhe si koordinator i projektit për botimin e librit, ishte mbresëlënëse. Ai ndër të tjera vuri theksin tek paraqitja modeste e veprimtarisë 30-vjeçare në një libër jubilar, por që ky libër dhe librat e kolegëve, të botuar nëpër kantone, të jetë shtytje për vazhdimësinë e nxjerrjes në pah me anë të shkrimeve dhe librave të tjerë në të gjitha kantonet, ku LAPSh ka lënë gjurmët e veprimtarisë së saj.
Fjalën e mori edhe Adem Osmani, donator i librit, i cili me modestinë shfaqi dëshirën e madhe për të kontribuar për mbarëvajtjen e mësimit plotësues.
Paraqitja për fjalë vijoi me mysafirin e nderit të LAPSh-së, Basil Schader, si koordinator i botimit jubilar dhe të shumë teksteve tjera didaktike.
Ai foli për sfidat gjatë hulumtimeve shkencore në fushën e mësimit plotësues.
Në fund, kryetari i LAPSh-së, Nexhat Maloku, zonjat Saime Isufi e Nexhmije Mehmetaj, bashkë me Basil Schader, iu përgjigjën shumë pyetjeve të të pranishmëve.
Ndër shqetësimet kryesore për të gjithë ishte: rënia e numrit të nxënësve të përfshirë në mësimin plotësues.
Të pranishmit kërkuan nga institucionet shtetërore që të angazhohen në kontaktet me organet shtetërore zvicerane, për integrimin e mësimit plotësues në mësimin e rregullt, e vetmja zgjidhje e këtij problemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.