September 25, 2021

Largimi i Ronaldos e vështirëson rindërtimin e Juventusit të Allegrit

Shpërndaje lajmin

Massimiliano Allegri është njeriu që e ka çuar Juventusin më pranë ëndrrës për lavdinë e Ligës së Kampionëve në sezonet e fundit, por ai fillon kampanjën evropiane të këtij sezoni në mes të një fillimi të tmerrshëm të sezonit, i cili ka vënë kredencialet e tyre të brendshme në qendër të vëmendjes.

52-vjeçari u godit me vezë nga tifozët kur arriti për periudhën e tij të parë në Juve në vitin 2014, për shkak se kishte qenë trajner i Milanit dhe faktit se ai ishte duke zëvendësuar legjendën e klubit, Antonio Conten.

Por ai i bëri tifozët për vete kur e udhëhoqi Juventusin drejt pesë titujve të kampionit në Serie A dhe dy finaleve të Championsit. “Zonja e vjetër” e futbollit italian u përpoq të shkonte një hap më tej me transferimin befasues të Cristiano Ronaldos në vitin 2018, i cili kishte shuar shpresat e Juventusit për trofeun e parë të Ligës së Kampionëve që nga viti 1996 dy sezonet e mëparshme.

Sidoqoftë ishte një bast prej 100 milionë eurosh i cili nuk u shpagua, me Juventusin që i lejoi Ronaldos të largohej me një pjesë të çmimit tre vjet më vonë. Ronaldo është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve, por edhe me të në radhët e veta, italianët nuk arritën të shkonin përtej çerekfinales dhe në dy sezonet e fundit u eliminuan në 1/8 e finales nga Lyoni e Porto.

Juve gjithashtu ka humbur disi rrugën edhe brenda vendit sezonin e kaluar duke përfunduar 13 pikë prapa fituesit të ligës – Interit – nën drejtimin e trajnerit fillestar Andrea Pirlo dhe vetëm duke u kualifikuar në Ligën e Kampionëve në xhiron e fundit të edicionit, sepse Napoli nuk arriti të mposhtte Veronan në shtëpi.

Tani Allegri kthehet te Juve këtë sezon jo si një armik, por si një mik i vjetër, i ngarkuar si për ta kthyer ekipin në krye të Serie A dhe për t’ia rindërtuar reputacionin evropian me një formacion më të dobët sesa ekipet që i pati në finalet e Championsit, në vitet 2015 e 2017. Ronaldo tashmë ishte përfolur se do të largohej këtë verë dhe Allegri praktikisht ngriti supet, ndërsa konfirmoi se golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar në Itali nuk kishte ndërmend të luante më për Juventusin.

Si një trajner me besim të madh, Allegri tha se “jeta vazhdon” edhe pa Ronaldon, por periudha e tij e dytë te Juventusi ka filluar me një lëkundje. I mposhtur nga Napoli në xhiron e fundit, Juventusi ka tubuar vetëm një pikë pas tri xhirove në Serie A dhe duket si një hije e skuadrës që dominoi futbollin italian për gati një dekadë, ndërkohë që në dy raste ishte vetëm pak në skenën më të madhe të Evropës.

Juventusi e nis kampanjën në Ligën e Kampionëve me Malmo, një fillim relativisht i butë në kuadër të Grupit H, ndonëse Allegri e quajti si ndeshjen “më të rëndësishme” të një grupi, i cili gjithashtu përmban kampionin në fuqi të Evropës, Chelsean.

“Le të shpresojmë se ne mund të fillojmë Ligën e Kampionëve më mirë sesa e kemi nisur sezonin në Serie A”, tha Allegri, që shtoi se humbja në Napoli erdhi për shkak të mungesave të shumta.

Ai për duelin në Suedi duhet të ketë shumicën e lojtarëve të përbërjes së parë, përfshirë edhe Paulo Dybalan. Dyshimi i vetëm mbetet Federico Chiesa, i cili gjithashtu nuk luajti ndaj Napolit për shkak të një lëndimi të muskulit dhe të hënën u stërvit i veçuar nga grupi. Allegri do të shpresojë se një skuadër që i ngjan fuqisë së plotë mund të kthehet shpejt nga dështimet e hershme dhe të jetë gati për ndeshjet e muajit të ardhshëm, ku do të përballet me Milanin dhe Chelsean.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *