Lëvizja feministe pas protestave kundër kulturës së përdhunimit

Shpërndaje lajmin

Vala e protestave që ka përfshirë vendin si reagim kundër krimeve seksuale ndaj grave dhe vajzave nuk është sporadike, por reflekton aktivizmin e një lëvizje shoqërore për barazi sociale, politike dhe ekonomike midis gjinive.  

Nga protesta e zhvilluar në Tiranë kundër dhunës seksuale ndaj një minoreneje. Foto: LSA.

Me 21 maj, dhjetëra qytetarë/e dhe aktvistë/e nga Mirdita, Lezha dhe Tirana u mblodhën në sheshin Abat Doçi dhe marshuan në rrugët e qytezës së Rrëshenit, për të dënuar përdhunimin e përsëritur të një vajze 15-vjeçare nëpërmjet shantazhit, kanosjes dhe dhunës nga 5 burra në një fshat të Mirditës. 

“Përdhunimi është krim,”përforcoi një prej aktivisteve, nëpërmjet një komunikate të lexuar përmes megafonit, ndërsa përmendi se vetëm brenda një jave “dy vajza të mitura, dy fëmijë janë përdhunuar.” “Këto nuk janë raste të izoluara, por integrale të një sistemi që dhunën e nxit dhe në dhunë gjallon,” shtoi ajo.

Në të njëjtën ditë, protestë kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave pati dhe në Peshkopi dhe ato u ndoqën disa ditë më vonë nga tubime masive në Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat dhë Kavajë.       

Protesta të tilla të njëpasnjëshme, masive dhe të qarta në dënimin publik dhe adresimin institucional kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave, nuk kanë qenë normë për shoqërinë tonë, ku deri vitet e fundit, reagimet për të drejtat e grave dhe organizimet e mirëfillta kanë pasur një formë sporadike. 

Megjithatë, tashmë është ngjizur një përpjekje e organizuar feministe, e cila po maturohet dita-ditës në ligjërim e veprimtari përmbajtësore dhe ndërthurëse, dallgët e të cilave përfshinë vendin përgjatë dy javëve të fundit të muajit maj duke goditur brigjet shkëmbore të patriakatit në shoqërinë shqiptare.  

Sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit në vend, gjatë vitit 2020 u regjistruan 136 procedime me 104 të pandehur për vepra penale të parashikuara në seksionin e IV të Kodit Penal si “krime seksuale”.

Në Shqipëri ekziston një kulturë përdhunimi, një mjedis shoqëror, ku dhuna seksuale ndaj grave dhe vajzave normalizohet dhe justifikohet. Mosemërtimi i përdhunimeve si krim, heshtja institucionale dhe e organeve kompetente e mirëmbajnë logjikën e dhunës edhe nëpërmjet mediave. 

Mediat kryesore në vend, përmes pushtetit të shikueshmërisë i shërbejnë riprodhimit të ciklit të dhunës si në qasje dhe në narrativë, nëpërmjet objektifikimit të trupave të grave dhe vajzave, lajmeve për konsum të shpejtë për klikime me tituj dhe përmbajtje seksiste, si dhe emisione për spektakël të lirë pa e përdorur ndikimin në qasjen kritike ndaj institucioneve shtetërore, familjes dhe organeve kompetente të arsimit dhe drejtësisë.

Vala e protestave kundër dhunës me bazë gjinore që përfshiu vendin, vjen gati një vit pas një manifestimi të fuqishëm të mbajtur në Tiranë ndaj përdhunimit të një tjetër vajze të mitur nga roja e një shkolle në periferi të kryeqytetit, protestë që u përhap gjithashtu në qytete të tjera. 

Është me rëndësi nyja lidhëse e këtyre protestave në kohë, shkaqet, shtrirja, përqendrimi dhe konsistenca në organizim. Kjo valë e re reagimi kundër përdhunimeve të vajzave dhe kulturës së përdhunimit, nuk u materializua nga asgjëja.

Ashtu si një vit më parë, nëpërmjet protestave lëvizja feministe kërkon të ndërgjegjësojë institucionet dhe shoqërinë mbi nevojën për siguri të shtuar në shkolla, ndërtimin e një rrjeti të zgjeruar të ndihmës psikologjike dhe punës sociale në institucionet arsimore, përfshirjen e lëndës së Edukatës Seksuale në shkollat 9-vjeçare, rishikimin e termave që hijezojnë abuzimin në Kodin Penal, si dhe përforcim të mekanizmave të drejtësisë në dënim dhe riedukim. 

Ky 8 Mars na gjeti të organizuara dhe në rrugë, ndonëse në kushtet e një pandemie të zgjatur në kohë. Nëpërmjet një komunikate të lexuar për mediat, u artikuluan jo vetëm puna e disafishuar e grave gjatë pandemisë dhe pesha shproporcionale e tyre në familje, por edhe pasiguria e vajzave dhe grave në vendin tonë. Mungesa e politikave dhe monsfunksionimi i mekanizmave institucionale të qenësishme për garantimin e jetës dhe lirinë e vajzave dhe grave, si në mjedise private dhe ato publike. 

Vetëm disa ditë më pas, në 19 mars 2021 u zhvillua manifestimi publik “Asnjë grua tjetër”, në sheshin përballë kryeministrisë në përkujtim dhe denoncim të vrasjes së Irvana Hyka Medinaj, e cila u masakrua 31-herë me thikë nga ish-bashkëshorti. Irvana ishte 28 vjeç. Dhuna sistematike dhe vrasja e grave, shënuan përgjatë 5 muajve të parë të vitit 2021, të paktën 6 viktima të paralajmëruara: Zhaneta Metani, Kristina Bardhi, Doriana Alla, Fëllënza Shirja, Irvana Hyka dhe Liljana Buzo.

Në 11 maj 2021 në qytetin e Elbasanit, nën thirrjen “Thuaja emrin” u marshua në protestë përmes rrugicave që lidhnin qytetin e të çojnë në derën e gjykatës. Liljana e ndjerë, u vra me kallashnikov çnjerëzisht nga ish-bashkëshorti, në të dalë të derës së Gjykatës së Rrethit Elbasan, ku më parë kishte denoncuar dhe dhunën e vazhdimtë ndaj saj. 

Organizimi u thirr në bashkëpunim me aktiviste feministe nga Tirana, me organizatat lokale në Elbasan. Përgjatë rrugëtimit marshues në qytet, na u bashkuan shumë gra dhe vajza të përlotura. Ndërsa të tjera, përtej dritareve të ngujimit – shtëpive – na shihnin dhe përshëndesnin të entuziazmuara, teksa thirrjet kumbonin poshtë, në rrugët e uzurpuara nga lokalet plot me burra. Gratë punëtore në fasoneri, dolën të duartrokisnim teksa vijonte marshimi në qytet. Elbasani u përfshi në protestë, ndërsa gratë dhe vajzat gjetën në thirrjet e revoltës mesazhin e qartë, se nuk janë vetëm. 

Bashkëorganizimet e manifestimeve publike, protestave, ndërhyrje të tjera publike, apo veprimtari si shkrime, graffiti dhe tryezat virtuale tematike – kanë marrë formë prej takimeve tashmë të vazhdueshme të aktivisteve feministe të angazhuara, duke i vyer strukturimit të qëllimeve në kohë, në shërbim të lëvizjes feministe – ende në faza foshnjore – në shoqërinë tonë. Që prej shkurtit të këtij viti, ky organizim feminist ka gjithashtu dhe revistën e parë progresiste, kushtuar feminizmit dhe shoqërisë. Revista “SHOTA” synon të problematizojë shtypjen dhe diferencimin shekullor të grave, përmes gjuhës dhe artikulimit kritik feminist prej kontribues/eve, në varësi të fushës së tyre të thellimit. 

Është domosdoshmëri sjellja në gjuhën shqipe e koncepteve, teorive feministe dhe ekonomike në ndihmë të leximit e dekonstruktimit të realitetit të dhunshëm patriarkal dhe ekonomikisht shtypës për gjysmën e popullsisë, parë e analizuar nga “gjyzlykët feministe”. Kjo i vlen sidomos kushteve aktuale për çimentimin e një narrative të kthjellët dhe përmbajtësore në identifikim, të lëvizjes feministe në formim e sipër. 

Shoqëri të caktuara që i kanë përjetuar vitet e revolucionit seksual dhe fazat e feminizmit gradualisht, tashmë po kalojnë valën e katërt feministe, e cila përqendrohet në problematizimin e kulturës së përdhunimit, ngacmimeve seksuale, (mbi)seksualizimit të trupave të grave, etj,. 

Për dallim nga të tjera kontekste shoqërore, historike e politike si tonat, ku artikulimi po ndodh së fundmi, por vrullshëm dhe duke marrë nga pak prej të gjitha fazave të feminizmit, nevojitet më tepër kohë për popullarizimin e koncepteve, teorive dhe formave të organizimit. 

Kështu, edhe Kosova për arsye të ngjashme proteste, si në Shqipëri, është përfshirë nga po e njëjta atmosferë. Përdhunimet e vajzave të mitura rishtaz, janë bërë shkas të shpërthimit të vatrave protestuese në disa qytete kosovare. 

Por ndryshe nga konteksti ynë, atje ka tashmë disa vite që lëvizja feministe ekziston, karakterizohet nga kohezioni, gëzon tjetër reagim shoqëror dhe prandaj është në tjetër moment historik të saj. Për t’u përgëzuar është dhe fakti se përveç organizimeve në terren, që mobilizojnë hallka të ndryshme të shoqërisë civile, në Kosovë po zë vend faza e aktivizmit ligjor dhe presionit institucional të ndjekjes së çështjeve për drejtësi nga një perspektivë feministe. 

Sakaq, në Shqipëri ende duhet të merremi me sqarim termash, përpjekje për hapësirë televizive për aktivistet feministe dhe trajtim serioz të çështjeve gjinore. 

Megjithatë, çastet e shumta të frymëzimit dhe reflektimit, që i kemi mjaft pranë për referencë, po i sjellim të gjalla përmes formave të komunikimit të ndërtuara bashkërisht, si me tryeza virtuale diskutimesh, ashtu edhe me takime ndërshkëmbyese sipas rastit. 

Rrahja e mendimeve, bashkëndarja e sfidave dhe fitoreve të vogla janë kusht për ruajtjen e kthjelltësisë në mendim e organizim. Nuk ka lëvizje apo organizatë emancipuese nëse nuk është (dhe) feministe. E ky lloj feminizmi duhet të jetë ndërthurës (intersectional).    


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *