Ligji gjerman i infektimeve: Status i ri ligjor për kulturën

Share

Në Ligjin e Mbrojtjes nga Infektimet, të miratuar kohët e fundit në Gjermani, kultura ka një status të përmirësuar ligjor, kur qeveria po lufton pandeminë e koronavirusit duke kufizuar disa të drejta themelore të parashikuara në kushtetutën gjermane. Më parë, në dekretet për kulturën pasqyrohej kriza – duke përfshirë mbylljen javore të teatrove, sallave të koncerteve, muzeve dhe vendeve të tjera dhe ndalimin në bllok të shumicës së aktiviteve artistike dhe të argëtimit në pranverë dhe përsëri në nëntor 2020.

‘Gjë e mirë:’ Statusi i ri për kulturën

Këshilli Gjerman i Kulturës e mirëpriti ndryshimin e legjislacionit që tani i jep kulturës një status të veçantë.

Me rregullat e reja, shkroi të enjten në Twitter drejtori i këshillit Olaf Zimmermann, “Kufizimet e aktiviteteve kulturore për shkak të pandemisë duhet të justifikohen nga qeveria federale dhe ato të landeve. Dhe kjo është një gjë e mirë!”

Të enjten, në një shkrim të titulluar “Corona përballë Kulturës” në faqen e internetit të Këshillit, Zimmermann mirëpriti faktin se kultura më në fund përmendet si një sektor më vete, një masë që këshilli e kërkoi javën e kaluar.

Merret parasysh ‘rëndësia e lirisë artistike’

“Institucionet kulturore janë shumë më tepër sesa vende për të kaluar kohën e lirë,” argumenton Këshilli, dhe shton se kjo bëhet tani shumë e qartë nga vendimi i së mërkurës i parlamentit kombëtar gjerman, Bundestagu dhe nga Këshilli Federal, Bundesrat, dhoma e sipërme që përfaqëson 16 landet federale të vendit.

“Teatrot, muzetë, bibliotekat, sallat e koncerteve, kinematë dhe të gjitha vendet e tjera të veprimtarisë kulturore janë shumë më tepër sesa thjesht vende argëtimi. Ato janë vende ku përfaqësohen artet, të cilave u është dhënë mbrojtje e veçantë sipas nenit 5, paragrafi 3 të Ligjit Themelor, ” shkruhet në artikull.

Këshilli thekson atë që e konsideron si pikë kryesore në legjislacion: “Në rast ndalimesh ose kufizimesh në fushën e kulturës, duhet të merret parasysh mjaftueshëm rëndësia e lirisë artistike”.

15813209 401

Sektorët kulturorë dhe krijues të Gjermanisë dhe industria e aktiviteteve, fuqia e tyre e punës duke përfshirë vendet e punës që nga ndërtimi i skenave te shitja e biletave, janë goditur rëndë në pandeminë e koronavirusit, si gjatë kufizimit të parë në fillim të këtij viti ashtu edhe kufizimit të dytë, më të lehtë, por ende në vazhdim. Shumë njerëz janë të papunë që nga marsi.

Alarm i madh

Teatrot dhe kinematë që investuan në pajisje të kushtueshme dhe masa për të përmbushur rregullat e rrepta të higjienës dhe distancës u tronditën, kur iu kërkua të mbyllen edhe një herë në fillim të nëntorit. Industritë gjermane të koncerteve dhe aktiviteteve gjithashtu pothuajse janë bllokuar krejtësisht.

Njerëzit që punojnë në këtë sektor dolën në rrugë në Berlin muajin e kaluar për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e tyre të vështirë. “Këta muajt e kaluar, ju na bëtë të ndiejmë se kemi vlerë më pak se makinat, aeroplanët dhe lojtarët e futbollit. Në pandeminë aktuale, megjithatë, ne jemi një nga sektorët e ekonomisë në një pozitë shumë më të keqe financiare se të tjerët, shkruan muzikantët dhe humoristët gjermanë në një letër të hapur.

Nënshkruesit theksuan vështirësitë ekzistenciale, duke shtuar se “disa sipërmarrës dhe njerëz të vetëpunësuar kanë kryer vetëvrasje nga dëshpërimi i plotë”. Ka ardhur koha, shkruanin vetëm disa javë më parë, që qeveria të veprojë.

Ndoshta ligjvënësit e morën për zemër një vërejtje të Till Brönner-it,  muzikant dhe fotograf i suksesshëm ndërkombëtar i xhazit: “Ky nuk është një problem luksi”./ DW


Share

Komente