LIVE/ Protesta e opozitës, nis grumbullimi i qytetarëve, masat e policisë
Rreth 1500 efektivë të policisë së shtetit do të jenë në terren ditën e sotme për protestën e thirrur nga Sali Berisha. Nga ora 12:00 që nis protesta, do të jetë i bllokuar Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe të gjitha drejtimet që lidhen me bllokun e rrugës së Elbasanit. Ambasada amerikane ka këshilluar qytetarët e saj që të shmangin lëvizjet pranë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku do të zhvillohet protesta e thirrur nga opozita.
Protesta nuk ka një limit kohor se kur do të mbarojë pasi PD thotë se do e përcaktojnë vetë qytetarët. Protestuesit fillimisht do të mblidhen tek selia e Partisë Demokratike, në sheshin ‘Skëndërbej’ dhe atë Nënë Tereza dhe më pas do të zhvendosen para kryeministrisë. Sipas organizatorëve, në shesh do të jenë rreth 100 mijë qytetarë. Ndërkohë një ditë më parë u blindua godinës së kryeministrisë, dhe Kryesia e Kuvendit.
10:43 – Protesta e opozitës, policia “blindon” kryeministrinë (VIDEO)
Mbi 1500 forca policie janë angazhuar ditën e sotme për mbarëvajtjen e protestës së opozitës, e cila do të zhvillohet në orën 12:00.
Siç shihet edhe në videon e siguruar nga AlbEu.com, forca të shumta policie duke nisur nga forcat e rendit e deri tek forcat speciale kanë rrethuar godinën e kryeminsitrisë.
Pavarësisht deklaratave të liderve të opoztës se protesta do të jetë e njëjtë me ato paraardhëse, paqësore dhe pa probleme, forcat e policisë do të vijojnë të jenë aty për çdo të papritur.
10:38 – Demokratët presin me brohorima dhe përqafime Sali Berishën në momentin kur hyn në seli
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ëhstë pritur me borhorima dhe ovacione, në momentin që është drejtuar për në hyrjen e selisë blu, nga ku pak pas çastesh priet të drejtohet drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të mbajtur fjalimin para protestuesve.
Në momentin që Berisha është drejtuar në seli me dhjetra simpatizantë të PD e kanë pritur me brohorima, ku nuk kanë munguar s shtrëngimet e duarve dhe përqafimet.
Ashtu siç është parlajmëruar opozita do të zhvillojë një protestë sot në orën 12:00 para kryeminsitrisë, pas skandaleve të fundit qeveritare përfshirë dhe “çështjen McGonigal”.
Protestuesit do të grumbullohen në dy pika, disa do të nisen nga sheshi “Nënë Tereza” dhe një pjesë nga sheshi “Skënderbej”, për tu takuar të gjithë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
09:22 – “Shqipëria po marshon drejt Tiranës”, Berisha para protestës: Rroftë Revolucioni Demokratik
Teksa na ndajnë vetëm tre orë nga nisja e protestës së thirrur nga opozita, lideri demokrat Sali Berisha shkruan në Facebook se “Shqipëria po marshon drejt Tiranës.”
Berisha: Shqipëria po marshon drejt Tiranës! Tirana vërshon sot në rrugët dhe sheshet e saj! Rroftë Revolucioni Demokratik! #sb
Protesta është parashikuar në nisë në orën 12:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Mbështetës të Partisë Demokratike nga rrethet pritet t’i bashkohen tubimit.
BERATI
Edhe sot demokratët beratas i bashkohen protestës së madhe të opozitës së bashkuar, që do të organizohet në Tiranë. Rreth 1000 protestues nga opozita e qarkut të Beratit janë nisur drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës së sotme të opozitës. Nisja e demokratëve të Beratit është organizuar në aksin nacional Berat-Dimal, në Moravë, ku rreth 500 demokratë beratas janë nisur drejt Tiranës me mjete private, ndërkohë që dhjetëra të tjerë janë nisur që prej mbrëmjes së djeshme, nga frika se mos policia u ndalonte hyrjen në kryeqytet.
Vetë drejtuesit e 5 degëve të Partisë Demokratike në qarkun e Beratit konfirmojnë se protestuesit janë nisur në mënyrë të paorganizuar, me mjetet e tyre private pasi autobusët e linjës së Tiranës nuk kanë pranuar të nisen me protestues sepse janë njoftuar nga terminalët e linjave se nuk do të pajiseshin me lejen e udhëtimit. Nga dega e PD-së Kuçovë janë nisur drejt protestës në Tiranë 150 demokratë, nga Dimali 80 demokratë, nga Poliçani 65 dhe nga Skrapari 50 demokratë. Kryetari i degës së PD-së Berat, Shyqyri Dura ka deklaruar se demokratët beratas po i drejtohen revoltës popullore. Dura ka deklaruar se qytetarët beratas janë nisur në një mision, nga i cili nuk do të tërhiqen derisa Edi Rama të përgjigjet para ligjit.
KORÇA
Protestës së opozitës sot do i bashkohen edhe qytetarë nga Korça. Mësohet se nga ky qytet janë nisur rreth 400 persona me 55 mjete te vogla dhe 3 autobusë. Ndërkohë, nga Pogradeci rreth 150 qytetarë janë nisur me 35 automjete. Po ashtu nga Devolli do të marrin pjesë 250 qyetarë, të cilët janë nisur me makina private.
KRUJA
Rreth 1000 qytetarë nga rrethi i Krujës i bashkohen sot protestës së opozitës.
Nisja drejt Tiranës do të bëhet në mënyrë private me automjete dhe autobusë të linjës.
Sipas Agron Lokes kandidat i PD-së, për bashkinë e Krujës, nisja ka filluar që në orët e para të mëngjesit dhe qytetarët nuk kanë hasur pengesa deri me tani.
FIERI
Mbi 800 anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të degës së Fierit do t’i bashkohen protestës së sotme të organizuar nga opozita. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike dega Fier, Rrapi Gjika drejt Tiranës janë nisur me automjetet e tyre private dhjetra demokratë, ku disa prej tyre kanë ardhur që mbrëmë, ndërsa të tjerë sot.
ELBASANI
Protestës së opozitës do i bashkohen edhe simpatizantë nga Elbasani. Nisja e tyre do të bëhet me autobusë nga selia blu e këtij qyteti, po ashtu dhe me makina private.
SARANDA
Burime nga selia e PD të Sarandës bëjnë me dije se rreth 100 demokratë të Sarandës, Konispolit dhe Finiqit, që do t’i bashkëngjiten sot protestës të paralajmëruar, që organizohet në Tiranë. Nisja e tyre ka filluar që të premten pasdite me makina të vogla. Ndërkohë që një pjesë për shkak të largësisë, është nisur që në orën 04.00 të mëngjesit të së shtunës. Ndërkohë, nga Delvina janë nisur rreth 50 persona.
08:50 – “Uragani po vjen”, Tedi Blushi për protestën: Rama është absolutisht i pashpresë!
Mijëra shqiptarë nga mbarë vendi pritet t’i bashkohen protestës së sotme të thirrur nga opozita.
Protesta pritet të jetë masive pasi të gjitha strukturat janë vënë në lëvizje për të siguruar një pjesëmarrje sa më të lartë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi përmes një postimi në Facebook disa orë para nisjes së protestës e cilëson këtë të fundit si një uragan.
Blushi: Uragani po vjen! Edi Rama është absolutisht i pashpresë! Ndryshimi i Madh fillon nga sot! #EjaEdheTi #Bashkohu 12:00
Protesta e opozitës nuk ka një fat ndërkohë që një grup me 200 persona është caktuar që të merret për mbarëvajtje e protestës.
Grumbullimi i qytetarëve do të bëhet në sheshin “Skënderbej”, por pjesa me madhe e tyre do të jenë para selisë së PD-së, të cilët do të shoqërojnë kreun demokrat Sali Berisha drejt selisë së Kryeministrisë. Protestuesit do të protestojnë edhe para Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që dera e Kryeministrisë është blinduar me veshje metalike. Protesta, e cila ka bashkuar demokratet, ka vënë në lëvizje policinë, e cila më herët njoftoi se mbi 1500 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës ditën e sotme, që pritet të nisë në orën 12:00.
Në këtë proteste, demokratët artikulojnë drejtpërdrejtë dorëheqjen e Edi Ramës, ndryshe nga protestat e mëparshme ku largimi i Kryeministrit për demokratët thuhej se do të vinte vetëm përmes votës. Dalja në skenë e çështjes McGonigal dhe përmendja e drejtpërdrejtë e emrit të Kryeministrit Rama në aktakuzën e ish-shefit të FBI, për opozitën është një implikim i rëndë i kreut të qeverisë shqiptare për të cilën ai duhet të largohet menjëherë.
07:36 – Protesta e opozitës, disa rrugë të bllokuara, 1500 efektivë në terren, blindohet kryeministria
Ditën e sotme, 11 shkurt, opozita do të zhvillojë një protestë kombëtare e cila është parashikuar të fillojë në orën 12:00 përballë kryeministrisë.
Për liderët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, ky është një mobilizim si asnjëherë më parë dhe Tirana duhet të derdhet në shesh kurse Shqipëria duhet të vërshojë drejt Tiranës.
Mësohet se nuk do të ketë protestë vetëm para godinës së Kryeministrisë, por edhe para bashkisë së Tiranës si një nga institucionet e akuzuara nga opozita për korrupsion.
Në kuadër të kësaj proteste disa nga rrugët e kryeqytetit do të bllokohen. Gjithashtu 1500 efektivë të policisë së shtetit do të jenë në terren.
Sakaq godia e kryeministrisë është blinduar prej mbrëmjes së djeshme. Gjithashtu mësohet se është blinduar edhe kryesia e Kuvendit.
Nga ora 06:00 e mëngjesit (11 shkurt) nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 11.02.2023 deri në përfundim të tubimit.
Protesta nuk ka një limit kohor se kur do të mbarojë pasi PD e Berishës thotë se do e përcaktojnë vetë qytetarët. Protestuesit fillimisht do të mblidhen tek selia e Partisë Demokratike, në sheshi ‘Skëndërbej’ dhe atë Nënë Tereza dhe më pas do të zhvendosen para kryeministrisë. Sipas organizatorëve, në shesh do të jenë rreth 100 mijë qytetarë.
Kjo protestë u njoftua nga Berisha pasi në akt-akuzën amerikane për agjentin e FBI, Charles McGonigal përmendej se ai ka zhvilluar takim me kryeministrin Edi Rama. Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se ka paguar McGonigal për të shkatërruar PD, por nga ana tjetër kreu i qeverisë thotë se ka zhvilluar takim me agjentin në cilësinë e zyrtarit të FBI dhe se nuk ka asnjë lidhje me hetimin në SHBA.
Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh./Albeu.com/