Lojtari i Aston Vilës bëhet viral, kthen mbrapsht fanelën që ndërroi me futbollistin e Liverpulit, pasi kuptoi vlerën që kishte e vetja

Share

Lui Berri nuk do ta harrojë kurrë natën e së premtes mbrëma, kur shënoi golin e parë me fanelën e Aston Vilës.

Klubi anglez, Aston Vila u përball me Liverpulin në kuadër të 1/32 së finales në Kupën FA, por një dit para ndeshjes e gjithë skuadra e parë u fut në karantinë pas rasteve me Covid-19.

Kjo bëri që Vila të paraqitet në sfidën ndaj Liverpulit me lojtarë të ekipit U-23 dhe më poshtë, duke iu dhënë rasti lojtarëve të rinj, të luajnë ndaj yjeve të “The Reds”.

Liverpuli fitoi me lehtësi 4-1 takimin, por te Vila u dalluan disa nga lojtarët e rinj me talentin që posedojnë.

Lui Berri shënoi golin e vetëm për vendasit, një gol që ai do ta mbajë në mendje gjatë gjithë jetës.

Megjithatë ajo që u bë virale pas ndeshjes në rrjetet sociale, ishte shkëmbimi i fanelës mes Berrit dhe mesfushorit brazilian të Liverpulit, Fabinjos.

17-vjeçari dukej i lumtur, pasi siguroi fanelën e yllit brazilian, por u detyrua t’ia kthejë atij mbrapa sapo u futën në tunel, shkruan “Telegrafi”

Ishte njëri nga anëtarët e stafit të Aston Vilës i cili i tha lojtarit se duhet t’ia kthejë fanelën Fabinjos, pasi duhet ta ruajë fanelën e tij debutuese me të cilën shënoi gol.

Sulmuesi i talentuar anglez shkoi në dhomat e zhveshjes dhe e mori mbrapa fanelën e tij, duke i thënë Fabinjos se dëshiron ta ruajë atë si kujtim, pasi ishte fanela e debutimit dhe golit të parë me ekipin e parë.

Fabinjo e mirëkuptoi lojtarin e ri dhe ia ktheu fanelën, por gjesti i Berrit është bërë viral në rrjetet sociale dhe është komentuar jashtëzakonisht shumë.


Share

Komente