Manastirliu në Kuvend: Sot mbërrijnë 8190 doza vaksinash, kemi vaksinuar 4600 mjekë

Share

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu mbajti një fjalim gjatë seancës së të hënës në Kuvend ku bëri me dije se gjatë ditës së sotme pritet të mbërrijnë në Shqipëri 8190 doza të tjera vaksinash antiCovid.

“Në një luftë bërrylash në tregun e madh global të vaksinave, ku me sa duket mbizotëron filozofia e më të fortit, imagjinoni çfarë përpjekjesh të jashtëzakonshme i janë dashur Shqipërisë tonë të vogël, për të siguruar një kontratë të drejtpërdrejtë me Pfizer për 500 mijë vaksina, nga e cila kanë mbërritur mbi 8 mijë doza deri më sot, dhe pritet lëvrimi i 8190 dozave të tjera sot, e kështu duke vijuar me kalendarin e ardhjes së vaksinave”, tha Manastirliu.

Gjithashtu, përsa i përket programit të vaksinimit, Manastirliu informon se deri tani janë vaksinuar 4600 mjekë dhe infermierë si dhe 400 të moshuar.

“Sot ne kemi mbi 4600 jetë mjekësh, infermierësh e stafesh spitalesh më të mbrojtur, për shkak të vaksinimit. Sot kemi mbi 400 jetë të moshuarish në azile, të moshuarish mbi 80 vjeç dhe kujdestarësh, më të mbrojtura për shkak të fillimit të vaksinimit. Më lejoni gjithashtu të shpreh dhe keqardhjen më të thellë për dezinformimin që ushqeu më tej disa reagime të pajustifikueshme njerëzish publikë për vaksinimin e disa qytetarëve që ishin pjesë e këtij grupi të parë, pikë së pari se ishin mbi 80 vjeç. Vërtet janë personalitete që i bëjnë nder këtij vendi dhe shoqërisë tonë, por ama kriteri dhe vetëm kriteri i moshës u mundësoi të ishin pjesë e një procesi që filloi me të moshuarit në azile. Do të vijojë dhe me +80-vjeçarë të tjerë, sipas planit për çdo fashë të grupmoshës mbi 80 vjeç”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.


Share

Komente