Manastirliu, thirrje qytetarëve: Këto pamje nuk janë normale në pandemi, merreni seriozisht

Share

Kur rastet e reja, të shtruarit në spital, si dhe personat që kanë humbur jetën të prekur me koronavirus, janë rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat.

Manastirliu ka postuar disa foto nga “Liqeni” në Tiranë, i cili është i mbushur me qytetarë pavarësisht pandemisë.

“Kjo pamje do të ishte e zakonshme në një kohë tjetër. Në një kohë normale. Pa pandemi. Pamje si kjo tregojnë që nuk po e marrim seriozisht rrezikun që sjell mos zbatimi i rregullave të vendosura. Virusin e parandalon kujdesi në sjelljen e gjithsecilit, e parandalon përgjegjshmëria qytetare në këtë kohë pandemie që vjen një herë në 100 vjet. Ne do të vazhdojmë të bëjmë të pamundurën, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona, në shërbim të mbrojtjes së jetës nga virusi i rrezikshëm. Por duhet të kuptojmë se burimet përballë pandemisë nuk janë të pafundme. Nuk janë të tilla për asnjë shtet të botës”, shkruan Manastirliu.

Më tej, ministrja thekson se me durim, kurajë e solidaritet do ia dalim së bashku. “Askush nuk e do kufizimin e mënyrës së të jetuarit. Por një pyetje e arsyeshme, që gjithsecili prej nesh duhet t’ia bëjë vetes në këtë kohë sfiduese për mbarë globin është: Çfarë po bëj për ta shmangur rrezikun? Çfarë po bëj për të mbrojtur veten dhe njerëzit e dashur, nga ky virus i rrezikshëm? Në luftë përballë Covid19, ne kemi ato armë dhe mjete që po përdor sot e gjithë bota, por që jo të gjithë po i përdorim”.


Share

Komente