April 15, 2021

Maqedonasit nervozohen nga thirrjet drejtuar mërgatës shqiptare për regjistrim

Shpërndaje lajmin

Edhe përskaj paralajmërimeve të autoriteteve se regjistrimi është operacion i pastër statistikor, i nevojshëm për krijimin e politikave të ardhshme zhvillimore të vendit, aktivitetet e fundit të funksionarëve shqiptarë që në mënyrë intensive agjitojnë që mërgata shqiptare të regjistrohet, janë vetëm vërtetim se regjistrimi është shumë më i rëndësishëm se sa vetëm statistikë.

Ky agjitim i funksionarëve shqiptarë ka shkaktuar edhe nervozë te pala maqedonase dhe mediumet e tyre të cilët kanë kritikuar ashpër edhe thirrjen e fundit të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti ndaj mërgatës shqiptare të regjistrohet, duke e quajtur si përzierje në punët e brendshme të shtetit, shkruan koha.mk, përcjell Albinfo.ch.

Pas shumë apeleve të shumë figurave publike shqiptare në vend dhe jashtë saj, por edhe pas mobilizimit të diasporës nëpër shoqata të ndryshme shqiptare në Zvicër, Austri, Gjermani, SHBA, Suedi, Norvegji, Belgjikë, Itali etj, është rritur numri i mërgatës shqiptare që janë regjistruar ditëve të fundit, përkatësisht vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 11.500 persona.

Por përveç shoqatave, organizime po bëhen edhe nëpër xhamia në diasporë, si psh nga kryesia e xhamisë “Drita” në Pralten të Zvicrës, por edhe në xhaminë e Çikagos ku me anë të një postimi në Facebook u apelojnë shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut që kanë probleme me regjistrimin nëpërmjet platformës, https://census.stat.gov.mk/ që ato të paraqiten në objektet e xhamive përkatëse ku do tu ndihmohet në regjistrimin e tyre.

Ky regjistrim është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse shumë të drejta që përcakton Kushtetuta e vendit, varen nga përqindja e një bashkësie etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *