Maqedoni: Hetime për keqpërdorim të vaksinave pas denoncimeve për abuzime

Share

435789753 highres 3

Katër ditë pas fillimit të vaksinimit kundër COVID-19, në Maqedoninë e Veriut, ka një debat në lidhje me keqpërdorimin e dozave të vaksinave. Qytetarë të ndryshëm, gazetarë e persona  publike kanë denoncuar me raste konkrete, se pjesë e këtij procesi janë bërë edhe persona që nuk janë mjekë, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Vaksinat e Pfizer që ka për momentin Maqedonia e Veriut dhe që janë vetëm 4,800 në numër, janë parashikuar të shpërndahen vetëm për mjekët.

Korrespondentja e Euronews Albania Ferikan Iljazi raportoi nga Maqedonia e Veriut se denoncimet fillestare ishin në rrjetet sociale. Fillimisht u denoncua fakti se sekretari i spitalit të Ohrit, me profesion jurist, figuronte në listën e të vaksinuarve.

“Ka pasur reagime të ashpra nga qytetarët për selektime dhe vaksinime të personave që nuk e kanë të drejtën të vaksinohen në një kohë kur nuk ka mjaftueshëm doza,” – tha gazetarja Iljazi.

Autoritetet janë shprehur se do të hetojnë rastet e pretenduara dhe paralelisht do të rishikojnë listat e vaksinimit.

Prej mesjavës në Maqedoninë e Veriut ka nisur procesi i vaksinimit me një ritëm prej rreth 200 mjekësh në ditë. Shkupi zyrtar pret rreth 200 mijë vaksina nga Kina dhe disa mijëra të tjera nga Serbia. Qeveria është shprehur e hapur për të marrë edhe 100 mijë doza të tjera nga Rusia. Aktualisht nuk ka një datë të saktë të mbërritjes së këtyre dozave.

 


Share

Komente