Maqedonia e Veriut kritika BE-së për vaksinimin: Po dërgon mesazh të gabuar në Ballkan

Share

Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë për ta ndihmuar Maqedoninë e Veriut që të sigurojë vaksina kundër koronavirusit. Është kjo deklarata e ministrit të jashtëm të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhënë agjencisë së lajmeve AFP gjatë një vizite në Paris, raporton radio Evropa e lirë.

Ai tha se vendi i tij ka qenë në gjendje të nisë një fushatë modeste vaksinimi, falë dhurimit të disa mijëra dozave të vaksinave nga Serbia, ndërsa shprehu keqardhje për mungesën e ndihmës së BE-së.

Sipas Osmanit, Brukseli po dërgon “mesazh të gabuar” në Ballkan, duke e lënë atë pa vaksina.

Ai tha se Maqedonia e Veriut, vitin e kaluar, ka porositur dhe paguar 800,000 doza të vaksinave AstraZeneca përmes sistemit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe ka porositur 800,000 doza të tjera direkt nga kompania Pfizer, por “asgjë nuk ka ardhur ende”.

“Çdo ditë që i vonojmë vaksinat, rrezikon më shumë njerëz, sidomos ata të cenueshmit”, tha Osmani.

Osmani shtoi se qeveria e tij është duke bërë përpjekje të sigurojë vaksina kineze dhe se 200,000 të tilla pritet të arrijnë në ditët në vijim.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova nuk ka nisur ende vaksinimin kundër koronavirusit.


Share

Komente