Marton shqiptarët, po me dasmën e tij ç’do bëhet? Renato Jaho: Leku zë lekun

Shpërndaje lajmin

Këngëtari vlonjat Renato Jaho ishte i ftuar ditën e sotme në Abc e Pasdites me Ermal Peçi ku ndahu copëza nga jeta e tij artistike dhe personale. Një ndër artistët më të dashur të jugut, ndonëse plot modesti, foli mbi marrëdhënien me artistët e tjerë shqiptarë dhe vështirësitë për të çarë në tregun muzikor. Sipas Renatos muzika ka qenë gjithmonë dashuria e tij më e madhe dhe tashmë ka arritur që të çajë me koncerte edhe përtej oqeanit, deri në Amerikë.
Por pyetjes thumbuese të Ermalit, nëse bëhet “leku letër” me koncerte, Renato iu përgjigj kështu:
“Leku letër bëhet vetëm nëqoftëse zë leku lekun themi ne nga Vlora. Po nuk zuri leku lekun, harroje. Nuk bëhet gjë.” – shprehu këngëtari i hitit ‘Kunadhe’, ku ndër të tjera shtoi se “puna ka shumë shpezime, duket shumë e lehtë por nuk e kuptojnë koston e atyre që bëjmë”.
Renato zbuloi gjithashtu se ai bën shumë bamirësi por asnjëherë nuk e ka ndjerë të nevojshme ta bëj publike këtë fakt.
“Unë jam shumë bamirës. E bëj me shpirt të lirë dhe shumë kënaqësi. Madje, jemi koshient, kjo puna jonë është qejf dhe qejfi paguhet. Por mbi të gjitha është njerzillëku.” – tha Jaho.
Përtej koncerteve brenda dhe jashtë vendit, ndër aktivitetet më fitimprurëse të këngëtarit janë dasmat. Ermali e pyet mes batutave se si planifikon ta bëj dasmën e tij, duke qenë se tashmë po bën edhe 30 vjeç dhe “i ka ardhur dita”.
“Kam frikë për dasmën time. Kam frikë se dua të këndoj vetë por nuk di se çfarë pazari t’i bëj vetes. Kur t’i vij koha dasmës, me kismet Zotit, mendoj se do bëj diçka të bukur. Por ndoshta dhe e vonoj për këtë arsye.”
Ndër të tjera, në rubrikën “1 jetë, 5 këngë” Renato ndaloi te ai që është publikimi i tij i parë muzikor “Kafe pa Sheqer” për të cilin shprehu se “ka gati 9 vjet që ka dalë ajo kënga dhe që atëherë unë nuk pi më kafe. Ka bërë protestë kafja më mua. Unë pija 8 kafe që e lashë. Ose më saktë më la, nuk e lashë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.