January 23, 2022

Mazhoranca rrëzon dekretin e presidentit për ligjin e “Bashkëqeverisjes”

Shpërndaje lajmin

Komisioni Parlamentar i Ligjeve dëgjoi argumentet e Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit “Për Bashkëqeverisjen” dhe kundërargumentet e qeverisë dhe në fund votoi me shumicë rrëzimin e dekretit të presidentit.

Komisioni për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut. Foto: Xhemali Moku/Birn

Këshilltari për Çështjet Ligjore i Presidentit , Bledar Dervishaj, paraqiti të mërkurën para Komisionit Parlamentar të Ligjeve argumentet e për kthimin në Kuvend të ligjit “Për Bashkëqeverisjen”.

Sipas tij, ky ligj ka mospërputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe problematika me kompetencat nga mënyra si është konceptuar funksionimi i Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Ai tha se ligji krijon disa probleme dhe paqartësi si; “shtimi i burokracisë në administratën shtetërore, cenimi i hierarkisë së normave të zbatueshme dhe konfuzion mbi organet që mund dhe duhet të ushtrojnë autoritetin kontrollues ndaj veprimtarisë së organeve të tjera të administratës, duke lënë apo krijuar kështu hapësira për presion ndaj administratës shtetërore në përmbushjen e funksioneve sipas ligjit”.

Dervishaj u tha deputetëve se, në vlerësimin e presidentit, ky ligj është miratuar pa konsultim publik, cenon dispozita kushtetuese dhe bie ndesh apo ka mbivendosje me disa ligje të tjera, ndër to,  “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;“Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

Sipas Dervishaj ky ligj krijon “mbivendosje të institucioneve dhe kompetencave, centralizim të kontrollit dhe pushtetit tek një institucion i vetëm – Kryeministri, shkel pavarësinë e pushtetit vendor dhe e nenit 100, të Kushtetutës”.

Shqetësim për presidentin është cenimi i autonomisë së pushtetit vendor nëpërmjet marrëveshjeve që parashikon ky ligj.  “Qeverisja aktuale ka humbur krejtësisht idenë mbi parimet kushtetuese që duhen respektuar”, tha ai,  duke i parë bashkitë si “organe në varësi të Kryeministrit”.  Dervishaj i bëri apel Kuvendit që të distancohet nga ky “këndvështrim” duke mos e miratuar këtë ligj.

Por, për ministren e Shtetit, Elisa Spiropali, argumentet e presidentit “janë të pabaza”.

Ajo tha se kthimi i ligjit ishte “një rutinë konstante për çdo projektligj të rëndësishëm” dhe se se analiza e presidencës ishte e përgjithshme pa argumente konkrete për nenet e tij.  Spiropali tha se projekti kishte kaluar hallkat e konsultimit publik dhe diskutimet me palë të interesuara.  “Në një prejt takimeve teknike të grupit të punës u bënë diskutime në nivelin parimor dhe me përfaqësues të delegacionit europian”- tha Spiropali.

Në të njëjtën qëndrim me Spiropalin ishte dhe kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka, e cila si relatore e ligjit, tha se “pretendimet e presidentit janë ezauruar më parë gjatë debateve në komision”.  “Nuk ka argumente për nene të veçanta”, tha ajo duke i cilësuar çështje “perceptimi” pretendimet e paraqitura nga këshilltari i presidentit. Sipas Bushkës, ligji është një instrument “për fuqizimin e qytetarit”.

Nga ana e opozitës mbrojtën dekretin e presidentit deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho dhe deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula.

Sipas Xhixhos, në vend që të rritet performanca e administratës, bëhen ligje kontrolluese mbi punën e saj.  “Ky ligj është prova se shumë nga hallkat e institucioneve nuk funksionojnë”- tha ajo dhe kërkoi që dekreti të shërbente si reflektim për Kuvendin për vendimarrjen e mëtejshme ndaj këtij ligji.

Ndërsa Sula shprehu bindjen se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë ligjin. “Ky projektligj është i sforcuar, ndaj në diskutimet që bëmë në komision është korigjuar mbi 50% e tekstit të hartimit të tij”- tha ai, duke e cilësuar nismën e qeverisë si një “marrëzi”.

Në përfundim të diskutimeve deputetët e mazhorancës rrëzuan me shumicë votash dekretin e Metës.

Ligji parashikon shtim kompentencash për Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, nën varësinë e Kryeministrit, për të kontrolluar punën e administratës qendrore dhe asaj vendore dhe çdo institucioni tjetër publik, bazuar në ankesat e qytetarëve.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *