Mbi 65 mijë punëtorë lanë punën në Kosovë

Shpërndaje lajmin

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, shprehet i shqetësuar për situatën aktuale. Sipas tij, ardhja e fuqisë punëtore nga jashtë e vështirëson gjendjen në tregun e Kosovës, njofton albinfo.ch.
“Punëtorë të rinj të shumtë në Kosovë po ikin jashtë vendit. Nuk duan të jetojnë më me shpresën se do të bëhet mirë. Nuk duan të punojnë në kushte jo të mira të punës e me paga të ulëta”.
Azemi deklaroi se deri në qershor, mbi 65 mijë persona kanë lënë punën në sektorin privat.
“Në vitin 2021, mbi 42 mijë, kurse deri në qershor të këtij viti, numri ka kaluar mbi 65 mijë. Është numër i madh i mungesës së punëtorëve të kualifikuar, por megjithatë, punëtorët e kualifikuar i kemi obliguar të dalin jashtë vendit.
Lëvizjet e punëtorëve po bëhen në gjithë botën dhe më tej. Tek ne po ndodh, sepse me një pagë 170 euro dhe mosofrimi i kushteve të përshtatshme dhe shumë çështje të tjera me ligjin e punës i bëjnë të pasigurt këta punëtorë”.
Punëtorë nga jashtë 
Kurse, drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa, thotë se për shkak të mungesës së punëtorëve, Kosova po merr punëtorë nga Turqia dhe nga India. Ai tha se këta punëtorë janë të specializuar dhe kryejnë shumë punë.
“Ka që i kanë marrë nga Turqia, ka edhe shumë kërkesa nga India. Për shkak se ka shumë fuqi punëtore, por edhe janë shumë të trajnuar, të specializuar dhe kryejnë shumë punë”. Mustafa thotë se çdo prodhues ka mungesë të fuqisë punëtore, duke theksuar se tani po ikin edhe punëtorët që kanë një vend pune e një pagë mesatare.
“Çdo prodhues ka mungesë të fuqisë punëtore. Po çka është edhe më shqetësuese është se para disa viteve ne e kemi pasur problem që kanë ikur një pjesë të njerëzve që kanë qenë të papunësuar, kurse tani, kanë ikur njerëz, të cilët kanë një vend pune dhe kanë pagë”.
 
 
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *