September 25, 2021

Mbi 900 të helmuar, Deçani shpall gjendjen e emergjencës

Shpërndaje lajmin

Komuna e Deçanit shpalli sot gjendjen e emergjencës, pasi mbi 900 persona janë paraqitur ditëve të fundit me simptoma helmimi.

Përmes gjendjes së emergjencës Komuna detyron institucionet vendore që të vënë në gatishmëri të gjitha asetet dhe burimet e tyre për situatën e krijuar.

Euronews Albania raporton se “situata në Deçan mbetet jo e mirë, pasi ka ende flukse njerëzish që kërkojnë ndihmë në spital”.

Aktualisht kompania rajonale e ujësjellësit “Hidro-Drini” ka ndërprerë furnizimin me ujë të Deçanit, pavarësisht se analizat e para për përmbajtje toksike kanë rezultuar negative.

Gazetari Gjoci tha duke cituar kryetarin e Komunës, Bashkim Ramosaj, se kjo është hera e dytë që në Deçan shfaqen raste me simptoma helmimi. Ramosaj ka ngritur gjithashtu shqetësimin për mungesë të përkrahjes nga Qeveria qendrore.

Ditën e sotme autoritetet nisën hetime të tjera për të saktësuar shkakun e helmimit, pasi të paktën dy persona humbën jetën – njëri prej tyre kishte shfaqur simptoma të helmimit. Prokuroria ka kërkuar kryerjen e autopsisë, ndërsa paralelisht janë duke u analizuar edhe vetë pacientët.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është solidarizuar me ngjarjen duke shprehur mbështetjen për qytetarët e helmuar dhe duke iu uruar shërim të shpejtë.

Sakaq, ai shprehu besimin se institucionet në Kosovë do të përpiqen maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa bëri thirrje që qeveria shqiptare t’u gjendet pranë me çdo ekspertizë të nevojshme./Euronews


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *