Mblidhet Komiteti Ushtarak i NATO-s, diskutohet edhe për Kosovën

Shpërndaje lajmin

Autoriteti më i lartë ushtarak i NATO-s, Komiteti Ushtarak, do të mblidhet sot dhe nesër (18-19 janar 2023), në Bruksel, ku ndër të tjera, pritet të diskutohet edhe për situatën në Kosovës, sigurinë dhe misionin e KFOR-it, përcjell albinfo.ch.
Admirali Rob Bauer, kryetar i Komitetit Ushtarak, do të kryesojë takimin, në të cilin do të marrin pjesë shefat e mbrojtjes dhe homologët e tyre nga Finlanda dhe Suedia, të ftuar.
“Në seancën e parë të ditës së dytë, shefat e mbrojtjes do të takohen me partnerët e tyre operacionalë të Forcave të Kosovës (KFOR) – Armeninë, Austrinë, Finlandën, Irlandën, Moldavinë, Suedinë, Zvicrën dhe Ukrainën. Diskutimet do të përqendrohen në situatën në terren, mjedisin e sigurisë dhe misionin e KFOR-it”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Komiteti Ushtarak do të diskutojë më pas misionin joluftarak dhe të ngritjes së kapaciteteve të NATO-s në Irak, me partnerët e tyre operacionalë Suedinë, Finlandën dhe Australinë.
Shefat e Mbrojtjes do të diskutojnë përpjekjet e vazhdueshme të misionit për të ndihmuar Irakun në promovimin e stabilitetit më të madh, ndërtimin e institucioneve të tij të sigurisë dhe mbrojtjes dhe çrrënjosjen e terrorizmit.
Në sesionin përfundimtar, Komiteti Ushtarak do të diskutojë mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Ukrainën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *