Më 13 janar nis regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës

Share

zgjedhjet 2 280x280 1

Duket se Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen me 14 shkurt. KQZ ka bërë të ditur kohën se kur fillon aplikimi për regjistrimin e votuesve që nuk jetojnë në Kosovë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tregon për KosovaPress se periudha e aplikimit për t’u regjistruar votuesit jashtë Kosovës është nga 13 deri më 21 janar. “Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përmbyllet më 21 janar, në orën 18:00”, tregon Elezi.

Ndërsa ai shton se te gjitha informacionet do të publikohen në ueb faqen e KQZ-së. “Të gjitha informacionet e detajuara dhe formularët do të publikohen së shpejti në ueb faqen e KQZ-së”, potencoi ai.

Kujtojmë që buxheti për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë 5 milionë e 650 mijë euro. Ndërsa fushata zgjedhore do të fillojë më 3 shkurt dhe do të zgjasë dhjetë ditë.

Kurse në mbledhjen e sa premtes KQZ ka kërkuar nga Agjencia për Regjistrim Civil që personat me dokumente të UNMIK-ut të largohen nga lista e votuesve, meqë dokumente të tilla nuk janë të vlefshme që prej vitit 2013-të. Gjatë kësaj mbledhje , u aprovua rekomandimi i Këshillit Operacional për të hequr nga lista rreth 11 mijë persona nga listat e votuesve. /Albinfo.ch


Share

Komente