Mediu: PD nuk fiton dot vetëm më 25 prill, ka nevojë për ne, për PR mënyra e ndërtimit të koalicionit nuk është pazar

Share

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka komentuar ditën e djeshme situatën politike në vend, ndërsa ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se opozita duhet të jetë e bashkuar për të mos lejuar cenimin e votës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Mediu ka folur dje për një nevojë të demokratëve për koalicion, duke shtuar se marrëdhënia nuk duhet konsideruar si pazar.

“Nëse ka një subjekt politik që ka nevojë për koalicion, sot është Partia Demokratike. Pavarësisht se siç mund të mendojnë sondazhet apo idetë, këto do të vijnë në një racionale që kanë të bëjnë me zgjedhjet, deri në ditën e fundit të votimit, deri kur të numërohet vota e fundit. Mënyra e ndërtimit të koalicionit nuk është pazar. Koalicionet ndërtohen mbi bazën e elementëve faktikë që kanë të bëjnë me peshën elektorale të gjithsecilit subjekt”, deklaroi ai.

Më tej kryerepublikani Mediu u shpreh se në disa qarqe opozita do të dakordësojë emrat për të marrë sa më shumë vota, por sipas tij, çështja e listave tashmë është përcaktuar. “Kam bindjen që duhet të dalim me dy lista, por mund të kombinojmë qarqe të caktuara për shkak të interesit reciprok të dy listave, pra mund të kombinojmë mënyrën e angazhimit elektoral”, u shpreh ai.

Ndërkohë, zoti Mediu u shpreh se çdo parti aleate do të duhet të ketë 140 kandidatë, ndonëse jo të gjithë sipas tij, do gjejnë veten në listat. “Pavarësisht se kush do të jetë në listën e deputetëve çdo subjekt politik duhet të ofrojë 140 figura të tjera konkurruese në mënyrë që të jenë mbështetje të kandidatëve kryesorë, që ta maksimalizojnë votën dhe të garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme si edhe fitoren e opozitës”, tha ai.

Kujtojmë që pak ditë më parë, Partia Republikane organizoi një takim të strukturave drejtuese në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit ku në fokus ishte bashkëpunimi i opozitës për t’u përballur me regjimin e korruptuar të Edi Ramës. Në fillim të fjalës së tij, duke vlerësuar situatën e rëndë të pandemisë, kryetari i PR, Fatmir Mediu theksoi se Shqipëria është në një moment kombëtar të vështirë, e cila kërkon një rizgjim të klasës politike shqiptare kudo që ndodhet.

“Shqipëria është në një moment kombëtar të vështirë, e cila kërkon një rizgjim të klasës politike shqiptare kudo që ndodhet. Koordinim dhe qëndrime të përbashkëta përballë disa sfidave të cilat janë shumë të veçanta dhe kanë ngritur shumë pikëpyetje në të ardhmen e rajonit po në mënyrë të veçantë shqiptarëve të rajonit për të qenë shqiptarë të bashkuar në Europën e bashkuar”, nënvizoi Mediu.


Share

Komente