Mërgimtarët mbledhin 48 mijë euro për ndërtimin e objektit të “Handikos”-it në Ferizaj

0
Shpërndaje lajmin

Mërgimtarët deri më tani i kanë mbledhur 48 mijë euro për ndërtimin e objektit të “Handikos” në Ferizaj.
Punimet e objektit mendohet të fillojnë nga tetori i këtij viti dhe shuma totale që duhet mbledhur është 400 mijë euro, shkruan koha.net.
“Fillimisht jem takuar me Enver Kosumin, drejtor i “Handikosit”, për një drekë dhe aty dhe ai e ka shprehur shqetësimin e tij që në Komunën e Ferizajt personat me aftësi të kufizuara nuk kanë objekt, ku ata mund të takohen dhe t’i përcjellin aktivitetet e tyre. Pastaj ne si mërgimtarët e kemi marrë një iniciativë, duke e formuar një këshill të përbashkët. Ky këshill përbëhet nga 17 persona dhe arsyeja e kësaj është të mbledhim të holla për ndërtimin e objektit të “Handikos” në komunën e Ferizajt”, ka thënë Bujar Neziri, mërgimtar, përcjell albinfo.ch.
Me ndërtimin e këtij objekti, 1008 persona me nevoja të veçanta mund t’i marrin shërbimet e tyre.
“Me fillimin e iniciativës, e cila ende nuk është bërë publike, janë mbledhur 48 mijë euro. Shumë që planifikohet të mblidhet është rreth 400 mijë euro, besoj që për një kohë të shkurtër mërgimtarët, të cilët janë të shpërndarë në vendet e Evropës, si Zvicër, Belgjikë, Gjermani, Angli, Amerikë, do të na ndihmojnë me të holla dhe këtë aksion do ta përfundojmë sa më shpejt”, ka thënë Neziri.
Ai shton se se deri në përfundimin e objektit, mërgata nuk do të ndalet, duke dhënë kontributin e tyre. Bën apel edhe tek institucionet vendore për mbështetje.
“Unë u bëj apel edhe Komunës së Ferizajt dhe komunave të tjera si dhe qeverisë së Kosovës, që t’i ndihmojnë këta persona me aftësi të kufizuara, sepse janë pjesë e shoqërisë sonë dhe janë pjesa që më së shumti kanë nevojë për t’ ndihmuar”, ka deklaruar Neziri për koha.net.
Në anën tjetër, Enver Kosumi, drejtor i qendrës “Handikos” në Ferizaj, është mirënjohës për mërgimtarët.
“Në momentin që kemi dalë me qira, jem zotuar bashkë me institucionet lokale për lobimin se si të gjejmë një mënyrë për ndërtimin e objektit. Gjatë pandemisë iniciativat pushuan së ekzistuari por fatmirësisht me një takim spontan që patëm me njërin nga bashkatdhetarët tanë, mikun tonë, Bujar Nezirin dhe duke ia treguar brengat dhe sfidat që përballen personat me aftësi të kufizuara, ai mori iniciativën për ndërtimin e këtij objekti. Kem pasur disa takime me institucione, komuna e Ferizajt janë zotuar për të na ndihmuar me infrastrukturë, leje të ndërtimit etj.”, ka thënë Kosumi, përcjell albinfo.ch.
Përparim Reka, një tjetër mërgimtar, i cili qe 24 vjet jeton dhe vepron në Belgjikë, i është bashkuar iniciativës për ndërtimin e objektit.
“Çdo vit që vijmë në Kosovë, si mërgata mblidhemi dhe diskutojmë se ku dhe kujt mund t’i ndihmojmë. Hera e fundit ne si mërgatë e kemi ndërtuar një shtëpi në fshatin Nerodime të Ferizajt, ku ishte një familje skamnore që me të vërtetë kishte nevojë për një shtëpi të re. Klubi i futbollit “FC Kosova” në Gjermani me kryetarin e tyre Bujar Neziri ka dhënë kontribut për këtë shtëpi. Presim që edhe objekti për personat me aftësi të kufizuara të ndërtohet shpejt”, ka thënë Reka për koha.net.
Personat me aftësi të kufizuara vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësi sa u përket infrastrukturës, si dhe punësimeve në gjithë Kosovën.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 80 mijë persona janë me aftësi të kufizuara, përcjell albinfo.ch.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *