Kryeministri Rama deklaroi sot para mediave se ‘dera është e hapur’ për kandidimin e deputetëve të opozitës së re, në listat e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit.
I pyetur nga gazetarët, kryeministri Rama u shpreh se gjithçka në lidhje me emrat do të vendoset pas vlerësimeve të bëra nga drejtuesit e qarqeve.
“Këtu nuk bëhet fjalë për opozitë, këtu bëhet fjalë për skuadër me të gjithë ata që janë të gatshëm të përfshihen në vijën e parë të kësaj beteje. Listat janë prevokativ i drejtuesve politikë të çdo qarku, këtë herë është edhe më e qartë për të gjithë. Drejtuesit e qarqeve kanë barrë të propozojnë emrat e çdo qarku. Puna ka kohë që ka nisur, kemi bërë një proces për tu hapur derën të rinjve që duan të angazhohen. Drejtuesit e qarqeve po bëjnë vlerësimet dhe do të vijnë të rinj e të reja, jo vetëm si moshë. Patjetër që do të kemi edhe bazën e skuadrës tek njerëzit me eksperiencë dhe besoj se do të kemi një skuadër dinjitoze dhe fituese”-tha Rama.
Pak orë pas deklaratës së kryeministrit Rama, janë mësuar dhe emrat e dy kandidatëve të opozitës së re, të cilët do të kandidojnë me Partinë Socialiste. Bëhet fjalë për Ylli Shehun, ish-deputet i LSI-së si edhe Reme Lala, e cila e mori mandatin e saj nën siglën e PDIU-së në Dibër.
Të dy ata, siç bën me dije mediat do të kandidojnë në qarkun e Tiranës. Theksojmë se lista e opozitarëve që do të kandidojnë nën siglën e Partisë Socialiste është edhe më e gjatë.