Meta takon ministrin e Jashtëm italian/ Zbulon çfarë diskutuan

Share

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi Di Maio.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia në operacionet e kërkim shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe kontributin për përballimin e pasojave veçanërisht për rindërtimin e zonave të prekura dhe rehabilitimin e tyre.

Presidenti falënderoi për dërgimin në Shqipëri të specialistëve italianë në përballimin e situatës së COVID-19 dhe vlerësoi dërgimin e infermierëve  shqiptarë në Itali në situatën e saj më të rëndë të pandemisë.

Ne vlerësojmë rolin proaktiv të Italisë në mbështetjen e perspektivës europiane të Shqipërisë dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për të përmirësuar integrimin e vendit tonë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi në Bashkimin Europian. Shqipëria ka përpara saj përmbushje të domosdoshme të kushteve të funksionimit të shtetit demokratik: zgjedhje të lira dhe të ndershme, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, liria e medias, etj”, u shpreh ai.

Gjithashtu Kreu i Shtetit kërkoi një prani më të madhe të investitorëve seriozë italianë në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare.

Urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali. Ndaj inkurajoj rritjen bashkërisht të përpjekjeve për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj”, theksoi Meta./ CNA.al


Share

Komente