Milanoviq: Borell s’mund të pritet të jetë objektiv në raport me Kosovën
Sot presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka bërë thirrje që të hiqen masat e vendosura ndaj Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Ai ka thënë se personalisht nuk është ithtar i sanksioneve të tilla dhe përkrah ato ndaj indivdëve.
Milanoviç në konferencën e përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të zhvilluar në Kroaci, ka dhënë kritika ndaj përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Ai tha se masat ndaj Kosovës nuk janë vendosur nga Këshilli i Ministrave, por nga Borrell, për të cilin ka thënë se shpreson që të pensionohet dhe se nuk është objektiv ndaj Kosovës.
“I ftoj që të bojkotohen ato masa, të cilat i ka marrë Komisioni Evropian dhe z. Borrel, i cili shpresoj që së shpejti të shkojë në pension. Nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por nga Borrell dhe njerëzit e tij, dhe kështu e sheh Komisioni Evropian zgjidhjen e problemit. Nga dikush që është spanjoll dhe drejton politikën evropiane kundër Kosovës, s’mund të presim objektivitet”, tha ai.