Miliona rusë nuk do të mbrohen më nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Rusia nuk është më një palë kontraktuese e lartë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sot Rusia pushon së qeni palë e lartë kontraktuese e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pas përjashtimit të këtij vendi nga Këshilli i Evropës më 16 mars, për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës vazhdon të sjellë dhimbje dhe vuajtje për miliona njerëz në Ukrainë dhe në mbarë Evropën. Edhe një herë, i bëjmë thirrje udhëheqjes ruse që menjëherë të ndalojë luftën në Ukrainë dhe t’i japë fund represionit të popullit të vet”, tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq.
Ajo tha se është për të ardhur keq që duke u larguar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Rusia do të “izolohet më tej nga bota demokratike” dhe se “do të privojë më shumë se 140 milionë qytetarë rusë nga mbrojtja e ofruar nga Konventa”.