January 13, 2022

Miratohet me debate buxheti faktik i vitit të pandemisë

Shpërndaje lajmin

Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu kritikoi shkeljet ligjore me rishikimet e shumta buxhetore gjatë vitit 2020, ndërsa raporti i tij u konsiderua i paplotë nga deputetët e opozitës dhe deputeti socialist, Erion Braçe.   

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dhe kreu i KLSh, Arben Shehu në Komisionin e Ekonomisë. Foto: LSA

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi të martën projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020”, ku raportoi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dhe paraqiti gjetjet e auditimeve për menaxhimin e fondeve publike kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu.

Ministrja Ibrahimaj tha se pandemia e COVID-19 e vuri qeverinë në një situatë të paparashikuar, duke e detyruar të bëjë disa herë ndryshime në buxhet me anë të akteve normative.

“Rritja ekonomike për vitin 2020 pati një kontraktim vjetor prej 4% kundrejt vitit 2019. Tkurrja ekonomike arriti pikun në tremujorin e dytë prej rreth -11%, ndërsa u rekuperua disi në tremujorin e tretë dhe u rikthye sërisht në terren pozitiv në tremujorin e katërt,” tha Ibrahimaj.

Ajo shtoi se deficiti fiskal arriti në 6.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa borxhi publik në 75.7 për qind.

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu konstatoi probleme me zbatimin e ligjeve në menaxhimin e fondeve publike dhe rishikimet buxhetore.

“Janë konstatuar 2327 rishikime buxhetore, ndër të cilat 442 janë bërë në kundërshtim me ligjin pas datës 15 tetor,” tha Shehu. Ai kritikoi gjithashtu se shumë prokurime publike janë hapur pa parashikuar fonde në buxhet.

Raporti i KLSH-së u kritikua nga deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e cila tha se mungonte analiza për kontratat koncesionare të qeverisë –veçanërisht për performancën e impianteve të mbetjeve urbane.  Ndërsa deputeti Edmond Spaho shprehu shqetësim për borxhin publik.

“Kjo tregon se punët në ekonominë e vendit nuk janë mirë dhe risku është afatgjatë,” tha Spaho.

Edhe deputeti socialist, Erion Braçe e konsideroi raportin e KLSH-së ‘një kakofoni shifrash”. Ai i kërkoi KLSH-së që të sillte një shifër të dëmit ekonomik të shkaktuar nga institucionet përmes shkeljeve ligjore të konstatuara nga auditimet.

Pas disa orësh diskutime, komisioni e miratoi vetëm me votat e mazhorancës buxhetin faktik të qeverisë për vitin 2020. Ndërkohë, Kuvendi ka futur në rendin e punës së Kuvendit diskutimin për projektbuxhetin e vitit 2022.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *