Mjekët shqiptarë të Austrisë ftohen të japin kontribut në Kosovë
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi ka ftuar të gjithë mjekët shqiptarë të Republikës së Steiermarkut-Grazit të Austrisë për bashkëpunim në transformimin dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.
Në një takim që zhvilloi me ta, Latifi shpalosi prioritetet e tij, duke veçuar shtatë shtyllat e transformimit të shëndetësisë, ndër to edhe kthimi i trurit dhe formimi i 14 Qendrave Ekselente, raporton Albinfo.ch.
Për këtë çështje, ai ftoi mjekët shqiptarë në Graz për bashkëpunim, pasi që kthimi i trurit në këtë kohë është më se i domosdoshëm.
Mjekët dhe studentët shqiptarë u shprehën mirënjohës për vizionin e Ministrit Latifi dhe njëherit të gatshëm për bashkëpunim për zhvillimin e shëndetësisë së Kosovës.
“Ministri iu drejtua të pranishmëve duke thënë se kontributi i të gjithëve është më se i nevojshëm në këtë periudhë, pasi që pacienti është në rend të parë dhe se prioriteti kryesor është ofrimi i shërbimeve sa më të mira për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Pjesë e këtij takimi kanë qenë edhe pjesëtarë të suksesshëm të fushës së bizneseve dhe të shoqatave të ndryshme shqiptare në rajonin e Grazit.
Ata u shprehën të gatshëm për të kontribuar dhe bashkëpunuar me ministrin Latifi për transformimin e shëndetësisë, në mënyrë që qytetarët të kënë shërbime më të mira shëndetësore.
Ky takim i ministrit Latifi u realizua në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Austri.