October 21, 2021

Mjekja psikiatre: Shenjat e stresit post traumatik tek fëmijët, si duhen trajtuar

Shpërndaje lajmin

Elona Dashi, mjeke psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë në “Spitalin Amerikan” foli për shenjat post traumatike me të cilat përballen fëmijët. E ftuar këtë të hënë në “Abc-ja e mëngjesit”, ajo tha se simptomat ndikojnë në zhvillimin e personalitetit, socializimin me të tjerët si në moshën fëminore por edhe në adoleshencë.Psikiatrja shpjegoi se simptomat ndryshojnë nga moshat më të vogla deri tek adoleshentët.

“Në grupmoshën deri në 6 vjeç, loja është elementi kryesor që domethënë simptomat i shohim nëpërmjet lojës. Ndryshojnë mënyrën se si bëjnë lojën apo bëjnë një lojë të përsëritur, bëjnë shpesh përsëritje të episodeve të ngjarjes apo tentojnë të bëjnë vizatime dhe biseda që lidhen direkt me temën e përjetuar.

Tek kjo grupmoshë vihen re të qara pa shkak, reagime emocionale që nuk kanë qenë prezente më përpara janë të shpeshta ato të cilat konsiderohen si simptomat e lidhura me frikën me ankthin tek fëmijët. Kur flasim për adoleshentët, mbizotërojnë simptomat e lidhura me humorin, është humori i rëndë, izolohen në vetvete. Mund të kenë simptoma të lidhura me ndjenjën e fajësisë dhe fillojnë të mendojnë se mund të jetë faji i tyre për ngjarjen që kanë përjetuar.

Fillojnë të mos frekuentojnë aktivitete apo jetën sociale që bënin më përpara. Janë të shpeshta çrregullimet e përqendrimit, kanë shpërthime emocionale. Por një grup tjetër simptomash janë të lidhura ose me mbi reagimin ndaj situatave të ngjashme ose nga ana tjetër, kanë një lloj shmangie të gjithë situatave që janë të ngjashme.”, tha mjekja.

Si duhet trajtuar? “Tek fëmijët është e rëndësishme të fillohet me psikoterapitë, dy janë bazat psikoterapia dhe farmakoterapitë. Për fëmijët më të vegjël psikoterapitë janë linja e parë dhe më së shumti janë terapitë konjitive që kanë në fokus traumën. Por duhet të kemi kemi parasysh moshën e fëmijës që kemi përballë.”, tha mjekja. /abcnews.al


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *