Moviola “ilegale”, FSHF-ja u merr celularët gjyqtarëve. Vendimi merr formën e prerë

Share

Federata Shqiptare e Futbollit nuk gjen rehat me gjyqtarët. Jo vetëm për gabimet e tyre apo për dhunën që ushtrohet hera-herës, fizike ose verbale, por edhe për “thagmat” që ata bëjnë gjatë një ndeshjeje duke qëndruar në… dhomat e zhveshjes.

“Panorama Sport” nga burime të besueshme pranë FSHF-së ka mësuar se tani të gjithë arbitrave do t’u mblidhen celularët dhe nuk do të kenë asnjë mundësi komunikimi që para se të fillojë ndeshja dhe deri në përfundim të saj.

Ky është urdhri më i fundit që ka ardhur nga “lart”. Urdhri ka marrë formë të prerë që nga java që shkoi dhe të gjithë telefonat do t’u dorëzohen delegatëve të ndeshjeve. Ata që refuzojnë ta bëjnë këtë apo “mashtrojnë” duke pasur një tjetër rezervë, do të kenë penalizime.

Moviolë ilegale

Arsyeja se përse FSHF ka marrë vendimin që të mbledhë celularët para ndeshjeve për arbitrat ka të bëjë më së shumti me një “ritual” të tyrin për të parë gjatë pushimit të ndeshjes gabimet që kishin bërë ose rastet e dyshimta gjatë pjesës së parë. Ata klikonin kryesisht në portalin “panoramasport.al” ose edhe në portale të tjera dhe shikonin aty se ku kishin gabuar në fraksionin e parë të ndeshjes.

Zyrtarët e sektorit të arbitrave, që në fakt duhet të jenë të pavarur, janë bindur gjatë këtij sezoni se kjo ka ndikuar në performancën e disa arbitrave. E thënë ndryshe: Ata kushtëzoheshin dhe përpiqeshin të “rregullonin” gabimet e pjesës së parë. Pra, përdornin teorinë e kompensimit.

Gabova në pjesën e parë, por ta “shpërblej në të dytën” dhe kështu dilnin të larë. Kjo, me sa duket, është pikasur nga zyrtarët e sektorit të arbitrimit dhe me miratimin e drejtuesve të FSHF-së kanë vendosur që t’u mblidhen celularët dhe çdo pajisje tjetër (tabletë) që bën të mundur “moviolën” në dhomat e zhveshjes.

Dyshimet e tjera

“Moviola ilegale” është arsyeja kryesore se përse federata ka vendosur që t’u mbledhë telefonat gjyqtarëve, por ka edhe motive të tjera. Së pari, për të evituar kontakte apo presione të jashtme, që mund të ndikojnë tek ata. Së dyti, për të shmangur edhe sugjerimet e miqve apo të të afërmve që u shkruanin SMS apo u dërgonin video të gabimeve apo të vendimeve të drejta. Së treti, për të evituar edhe ndonjë joshje nga palët e interesuara./Panorama Sport


Share

Komente