November 29, 2021

Mundësia e “Polexit”

Shpërndaje lajmin

Duke “fabrikuar” një vendim të Gjykatës Kushtetuese që refuzon në mënyrë efektive bazën ligjore të anëtarësimit në BE, partia në pushtet e Polonisë mund të ketë ndërmarrë një angazhim që nuk mund ta plotësojë. Për fat të keq, çfarëdo që të ndodhë më pas, polakët ka gjasa të përballen me pasojat e këtij veprimi të pamenduar nga qeveria e tyre.

Flamuri i BE-së dhe ai i Polonisë. Foto: Alex BonaSOPA ImagesLightRocket via Getty Images

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ëndrra më e madhe e Polonisë ishte t’i bashkohej Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Të lënduar nga nazizmi dhe më pas komunizmi, polakët dëshironin një fillim të ri dhe anëtarësimi në NATO dhe BE u bë një synim që kapërcente politikën.

Anëtarësimi në BE u konsiderua aq i rëndësishëm, saqë liberalët polakë u përmbajtën nga përballja me çështjet përçarëse në lidhje me historinë polake ose Kishën Katolike. Edhe Papa Gjon Pali II (polak) u përfshi gjithashtu, me sloganin “nga Bashkimi i Lublinit në Bashkimin Evropian”, duke iu referuar paktit të vitit 1569 që finalizoi unifikimin e Polonisë dhe Dukatit të Madh të Lituanisë (sipas të cilit Polonia e sotme, Bjellorusia dhe Ukraina përbënin një shtet të vetëm, të qeverisur në mënyrë demokratike). Në vitin 2003, më shumë se tre të katërtat e polakëve votuan në favor të anëtarësimit në BE.

Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbështetja polake për anëtarësimin në BE qëndron afër 90%. Kështu që BE-ja gëzon një mandat demokratik më të fortë se çdo tjetër i arritur nga një qeveri polake që nga viti 1989, për shkak të dy faktorëve: siguria kombëtare dhe ekonomia. BE-ja shihet gjerësisht si garantuesi i pavarësisë polake, e cila prej shekujsh është kërcënuar nga ambiciet imperialiste ruse. Kur polakët shohin se Ukraina po torturohet nga Rusia, ata e imagjinojnë se cili do të ishte fati i tyre po të mos ishte BE-ja dhe NATO-ja.

Në mënyrë të ngjashme, polakët mbështeten shumë te BE-ja për zhvillimin ekonomik. Në vitin 1989, Ukraina kishte PBB-në më të lartë për frymë sesa Polonia. Sot, PBB-ja për frymë e Ukrainës është 13,060 dollarë, ndërsa ajo e Polonisë është 34,265 dollarë. Nëse Polonia do të kishte ndjekur rrugën e Ukrainës, ekonomia e saj aktualisht do të performonte në të njëjtin nivel si në vitin 2001.

Miroslaw Gronicki dhe Ludwik Kotecki nga Kongresi Financiar Evropian (dhe më parë Ministria e Financave e Polonisë) llogaritin se nga pranimi në BE në maj 2004 deri në korrik 2021, Polonia mori më shumë se 206.8 miliardë euro (240 miliardë dollarë) në fonde kohezioni. Kjo është më shumë se dyfishi i të gjithë buxhetit të vendit për vitin 2021. Dhe me qeverinë e Ligji dhe Drejtësi (PiS) që ka negociuar 160 miliardë euro për Poloninë gjatë shtatë vjetëve të ardhshëm, shteti polak me shumë gjasë mbetet përfituesi më i madh i fondeve të BE-së brenda bllokut.

Në formë tipike, qeveria tashmë e ka mbushur vendin me billborde që reklamojnë shumën astronomike prej 770 miliardë dollarësh në fonde të reja, pa përmendur se paratë do të vinin nga BE-ja. Edhe pse këto billborde tashmë janë paguar, fondet e BE-së nuk janë siguruar, sepse Komisioni Evropian që atëherë ka pezulluar miratimin e Planit Kombëtar për Rindërtimin e Polonisë.

Komisioneri i BE-së për Ekonominë, Paolo Gentiloni, ka thënë se Komisioni Evropian po pezullon miratimin e Planit Kombëtar Polak të Rindërtimit, për shkak të erozionit të vazhdueshëm të sundimit të ligjit në Poloni. Një vendim i fundit nga Gjykata Kushtetuese, i cili mohoi epërsinë e ligjit të BE-së – baza e vetë anëtarësimit në BE – ishte gjëja e fundit që e mbushi kupën. Duke qenë tashmë dakord për të mbështetur reciprocitetin e borxhit përmes të cilit do të financohet Plani Kombëtar i Rindërtimit, Polonia tani qëndron përballë sfidës që të përballojë kostot e fondit të rimëkëmbjes së BE-së.

BE-ja ka çdo arsye për t’u shqetësuar për reformat joliberale dhe antidemokratike që qeveria PiS e Polonisë ka zbatuar gjatë gjashtë viteve të fundit. Politizimi i gjykatave polake, për shembull, ka implikime që shtrihen përtej Polonisë, sepse gjykimet në një shtet anëtar të BE-së pritet të njihen dhe zbatohen në të gjitha vendet e tjera. Për më tepër, Polonia ka sinjalizuar se nuk dëshiron të zbatojë vendimet e gjykatave të BE-së që synojnë të mbrojnë pavarësinë gjyqësore.

Sipas kësaj, shumë politikanë të PiS ulen në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë autorët e reformave gjyqësore të qeverisë, Stanislaw Piotrowicz dhe Krystyna Pawlowicz, të cilët dikur e quanin “leckë” flamurin e BE-së. Emailet e rrjedhura nga shefi i kancelarisë, dora e djathtë e kryeministrit Mateusz Morawiecki, ofrojnë dëshmi të forta se PiS kontrollon drejtpërdrejt Julia Przylębskan, kryetaren e Gjykatës. Në mesazhet e rrjedhura, politikanët e PiS raportojnë për takimet e tyre me Przylębskan, gjatë të cilave ata diskutojnë emërimet gjyqësore dhe vendimet e tjera. Prandaj, duhet të supozohet se liderët e PiS diktuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të refuzuar parësinë e ligjit të BE-së.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se Polonia duhet të tërhiqet nga këto plane në mënyrë që të marrë fondet e BE-së. Mirëpo, qeveria PiS e ka forcuar qëndrimin e saj. Sipas Adam Glapinskit, presidenti i Bankës Kombëtare të Polonisë: “Ne do t’ia dalim mbanë shumë mirë pa fondet e BE-së”.

Por pse qeveria do të rrezikonte me planin e rindërtimit? Një faktor është vendimi i fundit i një grupi deputetësh të udhëhequr nga Jaroslav Gowin për të lënë koalicionin qeverisës. Kështu qeveria është bërë edhe më e varur nga një grup deputetësh të udhëhequr nga Ministri i Drejtësisë Zbigniew Ziobro, i cili kundërshton me vendosmëri çdo marrëveshje me BE-në, në të cilën financimi do të kushtëzohej nga pajtueshmëria e Polonisë me sundimin e ligjit. Për shkak se Ziobro po konkurron kundër Morawieckit për postin e kryetarit të PiS, ai dëshiron të fitojë politikisht nga dështimi i nismës ekonomike të qeverisë aktuale, “Marrëveshja polake” – e cila do të financohej nga Plani Kombëtar i Rindërtimit.

Nga ana tjetër, është opozita me liderin e saj të ri, Donald Tusk, një ish-kryeministër polak dhe ish-president i Këshillit Evropian. Strategjia e Tusk është të publikojë faktin se PiS po e çon vendin drejt një “Polexit”. Mesazhi i tij duket se përthithet nga publiku. Më 10 tetor, menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, rreth 100,000 protestues dolën në Varshavë dhe demonstrata të ngjashme u mbajtën në 120 qytete të tjera.

Është e vështirë të thuhet se çfarë do të bëjë qeveria tani. Ajo është vënë në një pozitë të vështirë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e privuar veten nga paratë që i duhen për të rritur shanset e saj në zgjedhjet e vitit 2023. Po bëhet gjithnjë e më e mundur që PiS të jetë e gatshme të sakrifikojë jo vetëm fondet e BE-së, por edhe anëtarësimin e Polonisë në BE, vetëm për të mbajtur pushtetin.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Possibility of Polexit


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *