Ndërhyrja e Erdogan në zgjedhje dhe Rama si Mytesarif i Turqisë

Share

Manovra e Erdoganit është të krijojë një “elektorat të gatshëm” fanatik e klerikal për të instaluar një influencë të qartë politike në ambjentin e brendshëm.

Edi Rama nuk kishte thënë asnjë fjalë që ishte i ftuar zyrtarisht në një “vizitë zyrtare” në Ankara. Ishte “Pamfleti” që shkroi së pari për këtë vizitë, duke përdorur natyrisht burime tretësore, pasi nuk kishte asnjë transparencë as nga qeveria shqiptare e as nga ambasada turke në Tiranë.

Sikur të ishte një vizitë sekrete, e jo një tur normal zyrtar që natyrisht ishte pjesë e përgatitjeve prej kohësh.

Megjithatë, kjo nuk ishte gjëja e vetme që u mbajt e fshehtë. Ajo që nuk dihet ishte natyrisht Pakti Strategjik i Nivelit të Lartë, për të cilin nuk u fol as në vija të trasha.

E që përbën realisht paktin më të rëndësishëm që shteti shqiptar ka lidhur me një vend tjetër. Një Pakt Strategjik i Nivelit të Lartë, i cili sipas kësaj logjike kujton një ngjisje të fortë mes Tiranës dhe Ankarasë për çështje operative.

Pra që aparatet e ushtrisë, policisë, shërbimeve sekrete, gjithçka që quhet strategjike, kanë një lidhje “operative”.

Thënë shkoqur, është si marrëdhënia e Tiranës me Uashingtonin, por që në këtë rast ka një qëllim; të sulmojë elementët apo biznesët e grupit “Gylen” në Tiranë. Të cilët kanë biznese, media, institucione arsimore, madje edhe të nivelit ekselent siç është Universiteti që prej vitesh është rankuar i pari nga britanikët dhe ku dalin edhe studentët me rezultate më të larta.

Me marrëveshjen e re, ai Universitet që ka krijuar një traditë të rëndësishme në Tiranë do të zëvendësohet nga Universiteti Teknologjik i Stambollit, pa ditur se me cilat kushte dhe kosto për studentët.

Ndërkaq, një gjë mjaft e rëndë në kuptimin e plotë të fjalës ishte ndërhyrja e “Sulltanit” në zgjedhjet e 25 prillit. Erdogan i tha Ramës se Spitalin e Fierit do ta kesh gati  zgjedhje, çka përbën një skandal që kërkon një qëndrim të prerë nga aktorët politikë dhe mediatikë në vend.

Erdogan e ka bërë shpesh këtë gjë, e ka bërë në vitin 2009, kur erdhi në Kalimash dhe preu shiritin e Tunelit të Thirrës së bashku me Sali Berishën, ndërsa rruga nuk ishte bërë gati, në 2017, kur shpalli në intervistën me Sokol Ballën, mbështetjen për Edi Ramën dhe sot.

Ky zhbalancim i Erdogan, nuk është as një veprim i pamenduar dhe as një magji që i ka bërë Edi, jo!

Ai e di se politikanët e Tiranës si Berisha dhe Rama, më shumë se burra shteti, janë njerëz të vegjël që shesin gjithçka për të fituar zgjedhjet.

Por ndikimi i Erdoganit në ambjentin elektoral shqiptar, është një investim diabolik për të mbjellur e për të bërë të domosdoshme ndikimin e Turqisë në Shqipëri.

Jo thjeshtë një ndikim gjeopolitik, ekonomik, apo edhe kulturor, por më keq, një ndërhyrje elektorale për të krijuar një “publik të tijin” që i shpërlan trurin dhe që mund ta komandojë sa herë të dojë, nëse do t’i leverdisë të bëjë çorbë në Shqipëri.

Asnjë aleat i Shqipërisë nuk e bën këtë gjë, përveç Athinës që e realizon hapur nëpërmjet mbështetjes për PBDNJ-në e Dules, e në një farë mënyrë është normale në Ballkan, pasi kështu bëjmë edhe ne me partitë politike shqiptare në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut apo Luginën e Preshevës.

Por manovra e Erdoganit është të krijojë një “elektorat të gatshëm” fanatik e klerikal për të instaluar një influencë të qartë politike në ambjentin e brendshëm.

Pra shkoqur, është Erdogani që zgjedh se kush do të drejtojë qeverinë e Shqipërisë. Kjo quhet jo kolonializëm, por një perandori moderne, ku Rama, apo pasardhësit e tij nuk janë kryeministra por Mytesarifë të Turqisë në Shqipëri. Njësoj si para pavarësisë, kur kishim “Babadovletin”…/Pamfleti


Share

Komente