Ndikimi i Listës Serbe në zgjedhje rrezikon demokracinë në Kosovë

Share

Ndikimi i Listës Serbe, që komandohet nga Beogradi zyrtar, në zgjedhjet parlamentare të Kosovës shikohet si një rrezik për demokracinë dhe kundërshtim i kushtetutës. Analistët e çështjeve juridike paralajmërojnë efektet negative që sjell një ndikim i kësaj force politike tek deputetët e pakicave jo serbe.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë: “Një lojë politike mes Listës Serbe me parti të caktuara, qoftë boshnjake, qoftë rome e cenojnë në rend të parë rendin kushtetues të Republikës të Kosovës, i cenojnë parimet bazë me të cilat Republika e Kosovës përmes Kushtetutës iu garanton komuniteteve jo shumicë në Kosovë të drejtën për t’u përfaqësuar nga përfaqësues legjitim, që pasqyrojnë interesin, vullnetin e komuniteteve jo shumicë në Kosovë. Me vet faktin që përfaqësues të komunitetit boshnjak marrin mijëra vota nga serbët, kjo me të vërtetë është devijim i vullnetit të interesit të boshnjakëve, është përfaqësim jo efektiv dhe adekuat i interesave të tyre”.

Ndërsa njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, thekson se opinioni publik, por edhe qeveria e Kosovës duhet të pengojnë këtë lojë të rrezikshme të udhëhequr nga Beogradi. “Do të duhej të ngrihej zëri edhe i opinionit publik, edhe i këtyre komuniteteve, sidomos i qeverisë, haptazi ata po heshtin, që të reagojnë, ato janë të papranueshme dhe t’i pengojnë përmes institucioneve dhe hallkave institucionale të ndërhyhet aty ku është bërë, sepse është e qartë se ajo ka marrë më shumë vota të komunitetit serb në Partesh e në komuna në Partesh e në komuna ku nuk ka asnjë boshnjak sesa të tjerët, që është një lojë politike e dirigjuar nga Beogradi”.

Në kuvendin e Kosovës janë 10 vende për deputetët e komuniteti serb, por Lista Serbe nuk është mjaftuar me kaq dhe ka ndërhyrë në zgjedhje e 4 deputetëve të tjerë që pritet t’i përdorë për interesat e veta. Polemikat qëndrojnë në ndikimin që ka pasur në zgjedhjen e përfaqësuesve nga komuniteti boshnjak, të cilët kanë marrë vota edhe atje ku nuk ka pasur asnjë votues të këtij minoriteti.


Share

Komente