January 13, 2022

Në krizë dhe korrupsion: Shqetësime për gjendjen e sistemit universitar në Shqipëri

Shpërndaje lajmin

Në Ditën Ndërkombëtare të Integritetit, një panel me pedagogë dhe aktivistë analizuan krizën e sistemit universitar në Shqipëri si dhe shkaqet e saj.

Piktura fituese e çmimit të parë në konkursin “Integriteti në arsim”. Foto: Nensi Bogdani.

Në Ditën Ndërkombëtare të Integritetit më 9 dhjetor, një panel me pedagogë, aktivistë dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë ndanë shqetësimet e tyre mbi gjendjen e arsimit universitar në Shqipëri në forumin e titulluar “Korrupsioni ha dhe të zotin”, i organizuar nga “Qëndresa Qytetare”.

Sipas të pranishmëve në forum, korrupsioni si dhe mungesa e financimeve për kërkim shkencor reflektojnë gjendjen e rëndë të sistemit të lartë arsimor në Shqipëri.

“Sistemi arsimor shqiptar është në krizë. Shqipëria është akoma i vetmi vend në Europë që nuk i lejohet të bëhen studime të doktoraturës, për të mos folur për zero financime për kërkimet shkencore,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike.

“Shkaktarët kryesorë të krizës në sistemin arsimor janë dy: personeli dhe paratë,” shtoi ai.

Në vitin 2015, qeveria “Rama” ndërmori një reformë në sistemin universitar shqiptar me qëllim rritjen e cilësisë si dhe të kërkimit shkencor.

Por sipas një raporti të vitit 2021 të “Qëndresa Qytetare”, vetëm dy nga gjashtë universitete të monitoruara kishin investuar për shkencën gjatë një viti kalendarik. Gjithashtu, nga 4.6 milionë euro të përdorura për investime, vetëm 0.4% kishin shkuar për kërkimin shkencor.

Sipas aktivistit Kosovar, Rron Gjinovci, kërkimi shkencor jo vetëm që nuk financohet, por në Shqipëri dhe Kosovë nuk ndëshkohet as plagjiatura lidhur me këto punime.

“Si mund të flasim për integritet në arsim, kur ministres së Arsimit në Shqipëri i është bërë akuzë për plagjiaturë dhe kurrë nuk i ka ofruar provat për të kundërtën,” tha Gjinovci.

Sipas tij, zgjidhja për një sistem të drejtë arsimor nuk ka për të ardhur prej politikës, por vetëm nëpërmjet rezistencës qytetare.

Rovena Pregja, përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë tha se raportimet e studentëve për rastet e korrupsionit në arsim ishin shtuar, ndërsa theksoi rolin e koordinatorit kombëtar të antikorrupsionit në këtë drejtim.

“Është vënë re se janë shtuar rastet që studentët i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë  për fenomenin e korrupsionit në arsim,”tha ajo.

Forumi kulminoi me një ekspozitë të titulluar “Integriteti në arsim”, me punime artistike nga vetë studentët, të cilët kishin pasqyruar nëpërmjet artit fenomenin e korrupsionit dhe probematikat që ai krijon në arsim.

Simboli i kartmonedhave ishte ai që mbizotëronte në punimet e artit, ndërmjet të cilave katër prej veprave u përzgjodhen për çmime nga Ambasada e Suedisë në Shqipëri dhe nga vetë organizata “Qëndresa Qytetare”.

“Korrupsioni gjithmonë prek më të dobëtit, më të varfërit, më të pafuqishmit,” tha ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad. “Integriteti është çelësi për të luftuar korrupsionin,”përfundoi ajo.

Aktivistë dhe pedagogë morën pjesë në forumin “Korrupsioni ha dhe të zotin”, i organizuar nga Qëndresa Qytetare. Foto: Nensi Bogdani.

Ekspozitë me punimet e studentëve rreth temës “Integriteti në arsim”. Foto: Nensi Bogdani.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *