Në kulmin e krizës, Veliaj me tendera luksi: 500 mln lekë për ‘Tarracat e Gjelbra’

Share

Në kulmin e krizës, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvillon 500 milionë lekë për projekte luksi. Në një kohë kur qindra familje janë jashtë për shkak se tërmeti u shembi shtëpitë dhe bizneset po mbyllen nga kriza, Erion Veliaj bën një tender me shumën e 500 milionë lekëve për ‘Tarracat e Gjelbra’. Projekti i zhvilluar në një periudhë jo të duhur, ngre dyshime për abuzime me fondet, pasi ky projekt ka qenë i financuar më herët edhe nga privati.

Në një kohë kur qindra e mijëra familje në të gjithë vendin janë të pastreha për shkak të tërmetit dhe në kulmin e krizës për shkak të pandemisë, Bashikia e Tiranës dhe kryebashkiaku Erion Veliaj i adresojnë fondet tek luksi e dekori.

Plot 500 milionë lekë janë tenderuar për projektin ‘Taracat e Gjelbra’, i cili është shpallur në muajin qershor të 2020, vetëm pak ditë pasi kishim dalë nga izolimi total dhe u finalizua në muajin gusht të 2020, teksa biznesi dhe familjet ishin në ditët më të errëta dhe mijëra familje nuk kishin një çati mbi kokë për shkak të tërmetit. Nuk dihen arsyet pse një fond i majm duhet të shkonte për dekorin e tarracave të stacioneve të autobusëve, kur familjet kërkonin ndihmë të drejtpërdrejtë financiare dhe kalonin natën jashtë pasi banesa u ishte kategorizuar si e pabanueshme.

Projekti 500 milionësh në këtë periudhë krizë ngre hije dyshimi për abuzime, duke pasur parasysh edhe faktin që projekti ka qenë i financuar nga Tirana Bank.

Për këtë projekt ka patur edhe aktivitete ku drejtuesit e kësaj banke kanë inauguruar projektin ku kanë shpërndarë edhe pamjet e rastit. Projekti ‘Tarracat e Gjelbra’ synonte mbulimin e pjesës së sipërmve të stacioneve të autobusëve urbanë me bimësi. Por, njoftimi i ‘Tirana Bank’ zbulon, ndoshta pa dashje, një situatë që mund të përbëjë skandal financiar për bashkinë e drejtuar nga Erion Veliaj.

Projekti ‘Tarracat e Gjelbra’ ishte pjesë e një tenderi me vlerë rreth 460 milionë lekë të vjetra pa TVSH, i shpallur në Qershor 2020, me objekt ‘Rikonstruksion i lulishteve dhe mikrohapësirave të gjelbra me shatërvanë në blloqe banimi’.

Sipas dokumenteve zyrtare, ky tender financohej nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës.

Tenderi është mbyllur në Gusht 2020 dhe fitues është shpallur bashkimi i operatorëve ‘Alentre’ dhe ‘Shansi Invest’, të cilët kanë paraqitur një ofertë me vlerë shumë të afërt me fondin limit, rreth 455 milionë lekë të vjetra pa TVSH ose 540 milionë lekë të vjetra bashkë me TVSH.

Pra, Bashkia Tiranë ka realizuar tenderin, ka shpallur fituesit të cilët do të realizonin, ndër të tjera edhe ‘Tarracat e Gjelbra’.

Atëherë, pikëpyetja kryesore është se ku përfunduan fondet që Erion Veliaj dhe stafi i tij ia kanë kontraktuar bashkimit të operatorëve ‘Alentre & Shansi Invest’.

Në dokumentet e tenderit të Bashkisë së Tiranës, dallohet qartë se institucioni parashikonte shpenzimin e parave publike për vendosjen e bimësisë mbi kabinat e stacioneve të autobusëve urbanë.

Veç projektit të realizuar në një periudhë financiare të papërshtatshme, ngrihen dyshimet se nxitimi për projektin mund të ketë pasur si qëllim pikërisht abuzimin me fondet që për të sqaruar të vërtetën duhet të jetë objekt i hetimit nga ana e prokurorisë.


Share

Komente