September 25, 2021

Në SHBA rekomandohet vaksinimi kundër COVID-19 i grave shtatzëna

Shpërndaje lajmin

Kolegji amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve dhe Shoqëria për Shëndetësi të Nënave, thanë në një deklaratë të përbashkët se të dhënat e marra gjatë muajve të fundit nga dhjetëra-mijëra gra shtatzëna kanë treguar se përdorimi i vaksinave kundër COVID-19 është i sigurt, transmeton Rel përcjell Albinfo.ch.

Infektimi me COVID-19 i vë gratë shtatzëna në rrezik të shtuar nga komplikimet e rënda, madje edhe vdekje. Por, vetëm 22 për qind e grave kanë marrë një ose më shumë doza të vaksinës kundër COVID-19, thuhet në të dhënat e Qeverisë amerikane. Kjo shifër është e ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të vaksinuarve në SHBA, ku pothuajse 70 për qind e popullsisë së rritur në SHBA kanë marrë një ose dy doza të vaksinës.

“Vaksinimi kundër COVID-19 është metoda më e mirë për të ulur mundësinë e ndërlikimeve të nënave dhe fetusit nga infeksioni me COVID-19 te gratë shtatzëna”, tha doktori William Groman, president i Shoqatës për Shëndetësi të Nënave.

Këto dy grupe më herët kishin thënë se gratë shtatzëna nuk duhet të përjashtohen nga vaksinimi, por nuk e kishin mbështetur plotësisht marrjen e vaksinave për këtë kategori të shoqërisë.

Por, “rekomandimi i fuqishëm” që gratë shtatzëna të marrin vaksinën, sipas këtyre dy grupeve shëndetësore, erdhi për shkak të rritjes së shqetësimeve nga varianti Delta, i cili është më ngjitës dhe që po përhapet me shpejtësi në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Kolegjit amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve, doktor Martin Tucker, tha në deklaratë se doktorët duhet të rekomandojnë vaksinimin për pacientet e tyre.

“Kjo nënkupton që të theksojmë sigurinë e vaksinave dhe rritjen e rrezikut nga ndërlikimet e rënda që lidhen me infektimin nga COVID-19 gjatë shtatzënisë, përfshirë edhe vdekjen”, tha Tucker.

“Është e qartë se shtatzënat duhet të ndihen të sigurta kur marrin vendimin që të vaksinohen dhe një rekomandim i fuqishëm nga gjinekologët e tyre mund të bëjë dallimin për shumë gra shtatzëna”, shtoi ai.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *