August 1, 2021

‘Në spital nga trysnia e vetingut’, dështon seanca me prokurorin Ervin Karanxha

Shpërndaje lajmin

Avokatët e prokurorit të Tiranës, Ervin Karanxha kërkuan shtyrje të seancës dhe më pas dorëheqjen e një anëtareje të trupit gjykues, të cilën e akuzuan për ‘konflikt interesi’.

Përfaqësuesit ligjorë të Karanxhës, Ndue Pjetra dhe Klodian Reçi në seancën e KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Seanca dëgjimore me prokurorin e Tiranës, Ervin Karanxha dështoi të zhvillohej të mërkurën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Karanxha nuk u paraqit në seancë, ndërsa dy avokatët e tij deklaruan se ai gjendej në spital për shkak të përkeqësimit të shëndetit nga ‘trysnia e procesit të rivlerësimit’.

Avokatët Ndue Pjetra dhe Klodian Reçi paraqitën kërkesa për shtyrje të seancës dhe përgjatë dy orëve e gjysmë, trupa e KPK-së i rrëzoi ato.

Procesi i vetingut për prokurorin Ervin Karanxha po kryhet nga trupa e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Pasi kryesuesja Çiftja bëri me dije hapat proceduralë të seancës dëgjimore, përfaqësuesit ligjorë të prokurorit Karanxha, avokatët Pjetra dhe Reçi kërkuan mundësinë për të paraqitur një kërkesë paraprake.

Përfaqësuesi ligjor Pjetra tha se vinin nga ‘Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion” dhe kërkoi shtyrjen e seancës.

“Ne jemi ftuar dje nga subjekti dhe jemi pajisur sot me prokurorë të posaçme. Nuk e dimë se për çfarë bëhet fjalë. Ndërkohë, subjekti është i shtruar në spital. Ai është në vazhdimësi të problemeve shëndetësore për shkak të trysnisë së procesit të vetingut dhe mbrëmë është shtruar në spital,” tha avokati i Karanxhës.

Pjetra tha më pas se prokurori Karanxha sulmohej prej televizionit kombëtar ‘Top Channel’ dhe se veprimet kundër tij nuk ishin njerëzore.

Pasi trupi gjykues u tërhoq për të shqyrtuar kërkesën për shtyrje të seancës, vendosi ta rrëzojë atë. Kryesuesja Etleda Çiftja solli në vëmendje se Karanxha ishte njohur në fillim të muajit maj me rezultatet e hetimit dhe se i ishte pranuar dy herë më parë kërkesa për shtyrje.

Çiftja sqaroi se u vendos vijimi i seancës për paraqitjen e rezultateve të hetimit nga relatorja e çështjes, ndërsa avokatët të paraqisnin mbrojtjen në një seancë të dytë.

Vendimi për rrëzimin e kërkesës së parë pasoi me një kërkim të dytë të avokatëve të Karanxhës. Ata kërkuan dorëheqjen e Sanxhaktarit ose në të kundërt do të kërkonin përjashtimin e saj.

Sipas avokatëve Pjetra dhe Reçi, komisionerja Sanxhaktari nuk përmbush kriteret për qenë anëtare e KPK.

Ata pretenduan se Sanxhaktari kishte qenë e proceduar penalisht, se kishte arritur nivel të ulët pikësh në konkursin për Shkollën e Magjistraturës dhe se nuk arrinte nivelin shumë mirë në gjuhën angleze.

Mbrojtësit e Karanxhës pretenduan se Sanxhaktari i kishte fshehur këto të dhëna, duke e konsideruar trupën se nuk është e formuar sipas ligjit. Avokatët kërkuan që të pyetej komisionerja Sanxhaktari nëse e konsideronte të arsyeshme të hiqte vetë dorë, ose në të kundërt të përjashtohej.

Më tej, avokatët Pjetra dhe Reçi akuzuan se disa publikime në televizionin Top-Channel ndaj prokurorit Karanxha kishin qëllim fitimin e proceseve gjyqësore duke i bërë presione gjyqtarit, por nuk identifikuan çështje konkrete në seancë.  Sipas përfaqësuesve ligjorë të Karanxhës, Sanxhaktari ka miqësi me drejtorin e Informacionit të Top Channel, Ben Blushi, se ata jetojnë në një pallat dhe se sipas tyre kishin pirë kafe së bashku. I pyetur nga BIRN për akuzat në seancë, Blushi nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e shkrimit.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën e avokatëve. Kryesuesja Çiftja u tërhoqi vëmendjen përfaqësuesve ligjorë të Karanxhës për qëndrimin e tyre ndaj Sanxhaktarit.

“Trupi gjykues tërheq vëmendjen për presionet ndaj një anëtareje të trupit gjykues për dorëheqjen e saj. Nuk do të lejohet më një qëndrim i tillë,” tha Çiftja dhe u tha avokatëve të përgatisnin mbrojtjen deri më 30 qershor.

Çiftja u tërhoqi disa herë vërejtje avokatëve dhe theksoi se një media nuk mund të ndikojë në procesin e vetingut.

“Nëse keni dyshime të tilla, atëherë ky është proces penal. Nëse keni kërkim dorëzoni kërkesë dhe prova,” tha Çiftja.

Avokatët e Karanxhës këmbëngulën në pretendimin e tyre për gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit të anëtares së trupit gjykues, Valbona Sanxhaktari, duke pretenduar edhe për një udhëtim të saj në Mal të Zi me makinën e drejtorit të Digitalb. Pjetra dhe Reçi thanë se kishin dyshime të arsyeshme se Sanxhaktari kishte dhënë informacione nga hetimi i rivlerësimit të Karanxhës që ishin publikuar në media dhe se kjo situatë nuk garantonte gjykim të rregullt.

“Subjekti është rivlerësuar në të tre kriteret dhe pa e mësuar ai, e ka mësuar më parë media,” pohuan Pjetra dhe Reçi, por nuk paraqitën prova gjatë seancës për pretendimet e ngritura.

Sipas avokatëve, Karanxha kishte bërë gjithë përpjekjet e mundshme për të reaguar ndaj sulmeve ndaj tij duke i kërkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të mbanin qëndrim, si dhe kishte njoftuar Ambasadën Amerikane.

Avokati Pjetra deklaroi se nuk ishte i qartë se përse nuk reagonte për këtë situatë vëzhguesi ndërkombëtar. Përfaqësuesi i ONM-së, Francesco Ciardi theksoi se i siguronte avokatët e subjektit të rivlerësimit se e ushtronte funksionin e tij sipas ligjit.

“Është në konflikt të hapur interesi”, pohoi Pjetra dhe dorëzoi një kërkesë tjetër me shkrim për përjashtimin e anëtares Valbona Shanxhaktari.

Pasi u tërhoq për të tretën herë, trupi gjykues vendosi t’ia paraqesë për shqyrtim kërkesën për përjashtimin e Sanxhaktarit një tjetër trupe gjykuese dhe të shtyjë seancën për një afat të pacaktuar.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *